Adem Grabovci: Kadri Veseli është i kujdesshëm dhe i respekton partnerët kur i bën ofertë opozitës

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka thënë se paralajmërimin që e ka bërë kryekuvendari për ofertën që do t’i bëhet opozitës do të jetë transparente dhe në bashkëpunim me partnerët e koalicionit qeverisës.
Ai ka thënë se të gjithë debatin që do ta zhvillojnë me opozitën do të koordinohen edhe me partnerët e koalicionit.
“Ajo nuk do të jetë e fshehtë, do të jetë në transparencë të plotë. Çka diskutohet me opozitën, ne diskutojmë të gjithë së bashku, edhe me partnerët e koalicionit, që t’i trajtojmë çështjet që janë të interesit të përbashkët nacional, që na dërgojnë drejt tejkalimit të problemit dhe funksionalizmit të jetës institucionale”, ka thënë Grabovi për Indeksonline të dielën.
Sipas tij, i pari i Kuvendit, Kadri Veseli, është shumë i kujdesshëm në atë që e thotë publikisht, duke iu referuar edhe deklarimin që e ka bërë për ofertën ndaj opozitës.
“Ai është shumë i kujdesshëm dhe i respekton edhe partnerët e koalicionit. Ai e ka dëshmuar para qytetarëve që është një njeri me durim dhe gjakftohtësi politike dhe me një dashamirësi në raport me interesat e qytetarëve. Pjekurin politike e ka dëshmuar përgjatë procese që kanë ndodhur në Kuvend sepse mos ta kishte dëshmuar këtë pjekuri me veprimet që kanë ndodhur, normalisht që konflikti ka qenë i gatshëm dhe do të ishte rënduar situata, por meritën më të madhe e ka ai me maturinë që e ka treguar”, ka thënë Grabovci për Indeksonline.
Ndryshe Veseli javën që shkoi pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit duke folur para gazetarëve ka thënë se do t’ia bëjnë një ofertë serioze opozitës./Indeksonline/