RCCOLA

Adelina: Videoklipet e mia janë shumë normale dhe të matura

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Nuk kam dëshirë të flas për jetën private, e ruaj me shumë xhelozi. Çdo person në jetë përballet edhe me gjëra të mira, edhe të këqija. Por siç thash, dua që jetën time private ta mbaj vetëm për vete.

Këngëtarja superseksi, Adelina Berisha, thotë se viti që sapo e lamë pas ka qenë një vit shumë i suksesshëm sa i përket anës profesionale, mirëpo ajo heziton të flasë për jetën e saj private.

Adelina tregon se akoma vazhdon të jetë beqare, pavarësisht se ajo ka një trup në formë dhe përmasa të shkëlqyera. Të gjithë fansat e Adelina Berishës këtë vit do të mund të presin shumë projekte nga këngëtarja. Këtë e ka konfirmuar vetë Adelina Berisha në intervistën dhënë gazetës “Zëri”.

Zëri: Si e vlerësoni vitin 2015? A mund të thuhet se ky vit ka qenë viti më i suksesshëm në karrierën tënde?

Adelina Berisha: Vitin 2015 e vlerësoj si një vit mjaft të suksesshëm dhe kjo falë fansave të mi, që gjithmonë më përkrahin.

Zëri: Cili është momenti që do ta veçonit gjatë vitit që e lamë pas?

Adelina Berisha: Fejesa e motrës ka qenë një moment shumë i veçantë dhe i gëzuar për të gjithë familjen.

Zëri: Çka e karakterizon apo çka e veçon 2015-n në jetën tënde sentimentale, por edhe profesionale?

Adelina Berisha: Për anën profesionale e veçoj suksesin me këngët “Jo Mo” dhe “I Got It”. Jam shumë e lumtur që janë pritur mjaft mirë nga publiku sikur çdo projekt imi deri më tani.

Zëri: Si ka qenë ky vit për ty, sa i përket dashurisë? Cili ka qenë plani apo dëshira që nuk keni mundur ta realizoni gjatë këtij viti dhe pse?

Adelina Berisha: Sa i përket dashurisë, jam akoma beqare.

Zëri: A ka qenë deri më tani Adelina e dashuruar “kokë e këmbë”, që thonë dhe cili është ky person? A jeni dëshpëruar apo lënduar nga dashuria?

Adelina Berisha: Hahaha, nuk kam dëshirë të flas për jetën private, e ruaj me shumë xhelozi. Çdo person në jetë përballet edhe me gjëra të mira edhe të këqija. Por siç thash, dua që jetën time private ta mbaj vetëm për vete.

Zëri: Sa jeni e lidhur me familjen tuaj, në veçanti me motrën tuaj?

Adelina Berisha: Jam shumë e lidhur me familjen, sidomos me motrën time jam shumë-shumë e lidhur, edhe pse ajo tani jeton në Amerikë. Natyrisht se edhe me pjesën tjetër të familjes jam e lidhur shumë dhe kam përkrahje të madhe nga ata.

Eco Higjiena

Zëri: Ajo tashmë është duke jetuar në Amerikë, sa e ndieni mungesën e saj?

Adelina Berisha: Shumë, jashtëzakonisht shumë më mungon. Çdo ditë e më shumë, por vjen shumë shpesh dhe normal kjo gjë më bën shumë të lumtur.

Zëri: Po raportet me kolegët e tjerë si i keni, a mund ta veçoni ndonjërin që përpos skenës jeni edhe miq shumë të mirë?

Adelina Berisha: Me të gjithë kolegët kam raporte të mira. Kjo është ajo që mund të them.

Zëri: Po me Edita Sopjanin çfarë marrëdhëniesh keni, kur dihet se edhe jeni familjare? A ju ka ndodhur që ta “xhelozoni” njëra-tjetrën ndonjëherë?

Adelina Berisha: Editën e kam vajzë të dajës dhe sikur çdo vajzë tjetër me vajzën e dajës edhe ne i kemi raportet shumë të mira. Xhelozi nuk mund të ketë për njeriun e familjes.

Zëri: Pasi njiheni si një këngëtare e cila realizon videoklipe mjaft të nxehta, a mendoni se përveç muzikës duhet edhe një paraqitje provokuese, mendoj këtu për zhveshjen?

Adelina Berisha: Videoklipet e mia janë shumë normale dhe mjaft të matura, normal që me stilin e muzikës që kam duhet të jenë të përshtatura edhe videoklipet.

Zëri: A mendoni se disa këngëtare po e teprojnë me zhveshje?

Adelina Berisha: Ka edhe të tilla, por secila e ka stilin e vet.

Zëri: Çfarë mund të presim nga Adelina gjatë vitit 2016? Cilat janë planet tuaja?

Adelina Berisha: Shumë projekte, shumë befasi për të gjithë ata që më përkrahin dhe më simpatizojnë si këngëtare.

Zëri: Ndonjë mesazh për në fund?

Adelina Berisha: Dëgjoni sa më shumë muzikë sepse ua shton jetën.