UBT

Adelina: Publiku më jep forcë të vazhdoj…

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Këngëtarja Adelina Berisha është duke punuar për një projekt të radhës të cilit do t’ia bashkojë edhe videoklipin. Këtë e ka bërë të ditur vetë Adelina në një bisedë për gazetën Tribuna, ndërsa nuk ka lënë anash as angazhimet tjera që i ka për këtë sezon.

Kënga “Diçka më shumë” në bashkëpunim me Blastan, i solli Adelina Berishës një tjetër sukses në karrierën e saj muzikore. Kjo këngë u pëlqye shumë dhe u dëgjua kudo. E ky fakt duket se e ka shtyrë këngëtaren të mos ndalojë e të vazhdojë me projekte të reja. Ajo për gazetën Tribuna ka treguar se është duke punuar në një këngë të re, e cila do të dalë shumë shpejt në tregun muzikor.

“Po shumë shpejt do të vijë edhe një këngë nga unë. Kënga nuk ka ende titull, ndërsa për realizmin e kësaj kënge kam punuar me Zzap and Chriss, ata e kanë bërë muzikën, kurse tekstin e ka shkruar rep artisti Mozzik (Gramos Aliu)”, ka thënë Adelina në fillim të bisedës. Ndërkaq ajo ka shtuar se kënga do të realizohet edhe me videoklip, ndërsa ka thënë që për këtë klip është përkujdesur Produksioni ‘Max Production’.

Ndër të tjera Adelina premton se kjo këngë do të jetë më ndryshe sesa këngët e mëparshme kurse klipi do të jetë një risi në estradën muzikore. “Kënga do të jetë më ndryshe sesa këngët e mëparshme po ashtu edhe klipi do të jetë më interesant, shpresojë shumë që do të pëlqehet nga publiku pasi që tërë puna jonë si këngëtar bëhet vetëm që publiku të jetë i kënaqur dhe të mos i zhgënjejmë. Kështu shpresoj se do të jetë edhe kësaj radhe” ka shtuar Berisha për gazetën Tribuna.

Shprehet e kënaqur me mbrëmjet muzikore

RCCOLA

Përveç projektit të ri që është duke punuar, Adelina është mjaft aktive edhe nëpër koncerte të ndryshme muzikore. Ashtu sikurse këngëtaret e tjera që mbajnë turne të koncerteve nëpër trojet shqiptar, edhe Adelina Berisha tregon se është e pranishme gjithandej.

“Koncertet që i kam mbajtur dhe që do vazhdojë t’i mbaj deri në përfundim të sezonit janë kryesisht nëpër vende të ndryshme në Kosovë dhe në Shqipëri por pa përjashtuar as vendet e tjera ku ka shqiptar” ka thënë Adelina. Ajo shprehet se është mjaftë e kënaqur nga prezenca e njerëzve nëpër koncerte dhe thotë së është e lumtur për këtë fakt, pasi kështu ajo e sheh rezultatin e punës së saj.

“Kur shoh se njerëzit po vijnë në koncerte, kjo nënkupton se ata e çmojnë punën time dhe janë të kënaqur më këngët e mia. Ndjenjat për këtë gjë janë të papërshkueshme dhe në të njëjtën kohë më japin vullnet që të vazhdoj me projekte e të mos ndalem asnjëherë”, shton Berisha.

Ndër të tjera ajo ka përmendur se në ditët në vijim gjithë fansat e saj mund ta gjejnë në qytetet e Maqedonisë me popullsi shqiptare si në Tetovë e Gostivar. E gjithë këto mbrëmje muzikore pa dyshim kanë edhe të ardhura të majme. Për këtë shprehet e kënaqur edhe vet Adelina. ”Jam e kënaqur prej mbrëmjeve muzikore, normal se nga to kam edhe të ardhura por nuk kam dëshirë që të jap shifra se sa fitoj në punën që bëj”, ka shtuar këngëtarja e cila përsëri nuk dëshiron të flasë për jetën private.