Abuzimet nuk ndalen në tregun qindra – milionësh
Ndonëse ka një rënie çmimesh nëpër bursat botërore, naftë- tarët kosovarë po abuzojnë me çmimin e derivateve të naftës, pasi që ato nuk kanë shënuar rënie në Kosovë. Analistët dhe njohësit e kësaj fushe për këtë situatë po e akuzojnë MTI-në, përkatësisht inspektorët e saj, duke thënë se ata nuk po marrin masa ndaj naftëtarëve, ndaj këtyre abuzimeve me çmime të derivateve të naftës.
Ndërkaq ekspertët dhe specialistët e kësaj fushe thonë se i kemi këto abuzime me çmime derivatesh ngase ka dyshime të mëdha se prapa çdo kompanie të madhe të naftës që afaron në Kosovë qëndrojnë mafio-oligarkët e fuqishëm të pushtetit , që kontrollojnë gati gjithçka që nga paslufta e deri më sot. Këto akuza drejtuesit e Shoqatës së Naftëtarëve i kanë quajtur të pabaza dhe se çmimet janë më të ulëtat në rajon. Shih për këtë, naftëtarët edhe një herë kanë kërkuar që të themelohet Rregullatori për caktimin e çmimeve të derivateve të naftës, ashtu siç e kanë shumica e vendeve të rajonit. Ndërsa, specialistët e kësaj fushe janë arsyetuar se çmimet e naftës në Kosovë nuk varen aq nga çmimet në bursat e mëdha botërore.
Shoqata justifikohet para qytetarëve
Lideri i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, thotë për gazetën “Kosova Sot” se sa u përket çmimeve të derivateve të naftës nëpër bursat botërore OPEK-u e vendos sasinë e prodhimit për tërë botën.”Jam i mendimit se nuk qëndrojnë akuzat e qytetarëve tanë në adresë të naftë- tarëve, ngase te ne kemi çmime shumë të favorshme, sepse çmimet e derivateve janë më të lirat në rajon. Kjo ngase ulja e çmimeve nëpër bursat botërore nuk mund të reflektojnë në Kosovë brenda një kohe aq të shkurtër. Te ne shumica furnizohemi nga Shqipëria, përkatësisht furnizohemi nga Durrësi, por edhe nga Maqedonia, dhe si tregtarë të gjithë importuesit kosovarë jemi dora e tretë. Andaj, përkundër këtyre vërejtjeve, them lirshëm se edhe çmimi i derivateve për momentin në Kosovë është më i miri në tërë regjionin”, potencoi ai.
Sipas Berjanit, çmimet nuk reflektojnë në zbritje aq të shpejtë, ngase Kosova është tepër larg shteteve nga të cilat importohen derivatet. “Përveç Maqedonisë, që e kanë Rafinerinë e tyre të prodhimit e përpunimit të derivateve të naftës, atje është më e lirë, sepse është me akcizën për 22 centë më e lirë për një litër”, u shpreh
Naftëtarët kryqëzojnë ministren në largim
Fadil Berjani, në emër të Shoqatës së Naftëtarëve, ka kërkuar nga MTI-ja dhe Qeveria e re që do të formohet që edhe Kosova ta ketë një Rregullator për përcaktimin e çmimeve të derivateve të naftës, ashtu siç e kanë shtetet në regjion. Ai ankohet se ka tri vite rresht që nga MTI-ja po e kërkojnë një rregullator të tillë, por pa sukses, sepse kërkesat janë refuzuar.
Sipas Berjanit, jemi i vetmi vend në rajon që paguajmë për licencim biznesesh të derivateve çdo dy vite. “Veç saj, projektligji për derivate të naftës ka tre vjet që nuk po aprovohet”.
Ai i falënderoi të gjithë deputetët e përbërjes së kaluar të Kuvendit të Kosovës që nuk e kanë miratuar një projektligj që e ka propozuar ministrja në largim e MTIsë, Hykmete Bajrami.”Ministrja në largim, Bajrami, së koti disa herë u mundua që ta kontrabandojë një ligj të tillë në Kuvendin e Kosovës, por ajo nuk pati sukses ngase bëhet fjalë për një ligj të kontrabanduar e të centralizuar, ndonëse ne kemi kërkuar që në treg të gjitha kompanitë të jenë të barabarta. Hykmete Bajrami u mundua që ta sjellë një ligj që favorizon kompanitë e mëdha dhe që ishte në fuqi që nga koha e ish-ministrit të MTI-së, Bujar Dugolli”, theksoi Berjani. Sipas tij, është ministrja Hykmete Bajrami ajo që e ka çrregulluar sektorin e derivateve të naftës. “Me të drejtë naftëtarët kosovarë kanë shumë vërejte në punën e ish-ministres Bajrami, por vërejtjet e naftëtarëve janë neglizhuar nga ajo dhe këtu bën pjesë edhe çështja e themelimit të Rregullatorit të Naftës që do të përcaktonte këto çmime të derivateve të naftës.
Institucionet fajtore për situatën kaotike
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, për gazetën “Kosova Sot” vlerësoi se e kemi një gjendje të tillë kaotike dhe një laramani të çmimeve në tregun kosovar të derivateve me fajin e institucioneve tona dhe të gjithë drejtuesve të gjertanishëm të MTI-së. “Pas shumë shtyrjeve dhe arsyetimeve të të gjithë ministrave të deritashëm të kësaj ministrie, situata kaotike në tregun e derivateve po tregon se tashmë ka ardhur koha që edhe Kosova më në fund ta ketë Rregullatorin e çmimeve të derivateve të naftës ashtu si e kanë të gjitha shtetet rreth Kosovës”, është shprehur ai.
Ndërsa, analisti Ardian Nokaj tha për “Kosova Sot” se i kemi këto abuzime me çmime derivatesh, ngase ka dyshime të mëdha se prapa çdo kompanie të madhe të naftës që afarojnë në Kosovë qëndrojnë mafio-oligarkët e fuqishëm të pushtetit, që kontrollojnë gati gjithçka në Kosovë që nga paslufta e deri më sot. “Po të lihet përcaktimi i çmimit të derivateve në mëshirën e bizneseve tona ato gjithmonë do të jenë laramane dhe të tilla kurse kjo çështje rregullohet vetëm me Rregullator, jo me Udhëzime Administrative e rrugë të tjera”, potencoi Nokaj.
Ndikimi në çmim dhe fryrja e faturave
Analisti Isa Mulaj ka thënë për gazetën “Kosova Sot” se çmimet e naftës në Kosovë janë thuajse të njëjta me ato në vendet e rajonit dhe në këto kushte nuk varen aq nga çmimet në bursat e mëdha botërore, ku bëhen transaksione të mëdha, pos në rastet ekstreme, si për shembull ndonjë luftë e madhe si ajo në Gjirin Persik me Iranin. Ai thotë se kompanitë importuese të naftës dhe derivateve të saj në Kosovë nuk janë në pozitë as ta rrisin e as ta ulin çmimin pa pësuar ngritje apo rënie të theksuar në vendet e rajonit.
Mirëpo, analisti Isa Mulaj thotë se kompanitë importuese, siç është “Al-Petrol”, kanë gjetur metoda për të shitur më pak karburant dhe duke e faturuar më shumë. “Ky ka qenë rast i dokumentuar shumë herë, por Inspektorati i MTI-së duket se nuk ka ndërmarrë kurrfarë masash”, është shprehur ai. “Nëse prapa importit të naftës qëndrojnë oligarkët, ata nuk janë fajtorë, sepse politikat ekonomike të Qeverisë i kanë krijuar pjesërisht qeveria e Hashim Thaçit, e më shumë qeveria e Isa Mustafës”, ka theksuar Mulaj./kosova sot/


