Fundamenti

Absurdi bankar

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Bankat komerciale në Kosovë vazhdojnë me investime në letra me vlerë jashtë vendit, duke e ngadalësuar kështu kredidhënien për ekonominë kosovare. Për nëntë muaj, së bashku ato investuan rreth 200 milionë euro depozita të qytetarëve në letra me vlerë nëpër shtete të ndryshme të Evropës.

Në anën tjetër, kreditimi i ekonomisë kosovare, sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, ka rënë ndjeshëm. “Po ashtu, me rritje u karakterizuan investimet e bankave që operojnë në Kosovë në letra me vlerë jashtë vendit, të cilat rritën pjesëmarrjen nga 7.8 për qind të gjithsej aseteve sa ishin në shtator 2011, në 9.2 për qind në shtator 2012”, thuhet në raportin e nëntëmujorit të BQK-së. Sipas këtij raporti, në shtator 2012, asetet e sistemit bankar të Kosovës arritën vlerën prej 2.76 miliardë eurosh.

Njohësit e ekonomisë dhe përfaqësuesit e bizneseve i vlerësojnë të paarsyeshme këto investime jashtë, kur merren parasysh nevojat e brendshme. Madje, thonë se këto investime po e ngadalësojnë kredidhënien për ekonominë kosovare.

Sipas nëntëmujorit, gjithsej kreditë e lëshuara në këtë periudhë nga sistemi bankar arritën vlerën prej 1.76 miliard eurosh. Por, norma aktuale e rritjes së kreditimit në ekonomi është dukshëm më e ulët krahasuar me normën prej 16.8 për qind të regjistruar në shtator të vitit 2011.
“Duke u bazuar në rezultatet e anketës së shtatorit 2012, të realizuar me bankat të cilat operojnë në Kosovë, ngadalësimi i kredidhënies është rezultat i rënies së kërkesës për kredi. Po ashtu, deri në një masë ndikuan edhe shtrëngimi i kushteve për kredidhënie nga ana e bankave, gjë që u reflektua në rënie të ofertës për kredi”, thuhet në raport.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi thotë se në parim potenciali kreditor do të duhej të shfrytëzohej brenda vendit. Për të, investimet e bankave jashtë janë të arsyeshme vetëm kur ka tepricë të mjeteve financiare.

KKVITI

“Por duke e pasur parasysh nevojën për kreditim të ekonomisë kosovare, do të ishte mirë që këto mjete të investohen brenda vendit”, ka thënë Rukiqi.

Nga bankat, këto investime jashtë kryesisht arsyetohen nga rreziku i likuiditetit, duke përfshirë këtu rrezikun për kthimin e kredive dhe proceset e vonuara gjyqësore, shkruan Express.

Por, Rukiqi pohon se ky është më shumë një shqetësim i paarsyeshëm i bankave. “Sa i përket sigurisë, bankat e rrisin këtë shqetësim, por derisa kreditë e këqija kanë normën më të ulët në rajon, atëherë nuk ka vend për këtë shqetësim të tyre”, vlerëson Rukiqi.

Sipas raportit të BQK-së, kreditë joperformuese u rritën në 7 për qind nga 6 për qind sa ishin një vit më parë.
Edhe sa i përket likuiditetit, raporti i BQK-së tregon se bankat qëndrojnë mirë. Në shtator 2012, raporti kredi-depozita ishte 79.7 për qind përderisa në shtator 2011 ky raport ishte 78.9 për qind. “Raporti aktual ndërmjet kredive dhe depozitave është në linjë me rekomandimet e BQK-së që bankat të mirëmbajnë raportin ndërmjet kredive dhe depozitave në mesatarisht 80 për qind”, thuhet në raport.

Ndryshe, ky trend rritës i investimeve në letra me vlerë jashtë vendit, e përcolli edhe vitin 2010 dhe atë 2011. Vetëm gjatë vitit 2010, në letra me vlerë jashtë vendit, bankat patën investuar plot 173.4 milionë euro, që ishte 78.8 për qind më shume se vitin paraprak.