Abrashi: Realizimi i kërkesave të komunave i pamundur

Buxheti i ministrisë së Infrastrukturës nuk është i mjaftueshëm për realizimin e kërkesave të komunave në Kosovë, tha ministri në detyrë Arban Abrashi në një intervistë për Ekonominë Online.

Abrashi shtoi se pandemia dhe shkurtimet buxhetore e kanë vështirësuar punën në ministrinë e Infrastrukturës.

“Gjithsesi përkundër pandemisë dhe përkundër shkurtimeve të mëdha buxhetore të cilat e kanë prekur ministrinë për gjatë rishikimit të buxhetit edhe gjatë kursimeve qeveritare që janë bërë kemi bërë të pamundurën dhe kemi siguruar mjetet e nevojshme në mënyrë që kompanitë të cilat janë të kontraktuara nga ministria t’i kenë mjetet e nevojshme financiare që të bëjmë furnizimet e nevojshme për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë dimrit dhe ashtu siç jam njoftuar nga ekspertët nuk do të kemi asnjë problem në menaxhimin e rrugëve gjatë sezonit dimëror”.

Abrashi theksoi se janë në konsultim të vazhdueshëm me Ministrinë e Bujqësisë, për projektin testues që ka të bëjë me mbjelljen e drunjve dekorativ dhe të tjerë përgjatë rrugëve nacionale dhe autostradave.

Ai tha se tashmë kanë filluar mbjelljen e disa drunjve dekorativ në autostradën “Ibrahim Rugova”.“Është një projekt i vogël por me shumë peshë edhe për ambientin edhe për mirëmbajtjen e rrugëve. Prandaj duke u konsultuar me ekspertë kemi vendosur që ta hartojmë një projekt edhe testues me Ministrinë e Bujqësisë që të fillojë mbjellja e drunjve dekorativ dhe të tjerë përgjatë rrugëve nacionale dhe autostradave”.“…tani më ka filluar implementimi i këtij projekti. Ne kemi filluar në mënyrë simbolike në pjesën e autostradës ‘Ibrahim Rugova’ me mbjelljen e disa drunjve dekorativ. Ekipet të cilat i mirëmbajnë do të vazhdojnë mbjelljen e tyre”.Abrashi tha se nuk janë të kënaqur me buxhetin, sepse kërkesat e komunave janë qindra miliona euro.

Mes tjerash, ai theksoi se hapi i parë për fillimin e investimeve në shtrimin apo zgjerimin e rrugëve do të jetë Prishtina.“Nuk jemi të kënaqur aq sa duhet me buxhet. Flitet shumë për asfaltin. Po realisht kërkesat janë të mëdha. Vetëm kërkesa të komunave kalojnë disa qindra miliona euro që realisht kërkesa të arsyeshme dhe është shumë e pamundur t’i përkrahim të gjitha ato për shkak të buxhetit të limituar”, u shpreh Abrashi.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS