KKVITI

Abrashi: Punësimi, prioritet kryesor në vitin 2016

/ 4 minuta lexim
KKVITI

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, në një konferencë për media, ka prezantuar të arriturat e kësaj ministrie brenda një vit, duke thënë se ideja themelore ka qenë që të ndryshojnë imazhin e krejt kësaj ministrie që nga fillimi.

Abrashi ka theksuar se është bërë një punë e mirë dhe qeveria njihet për shumë gjëra, duke përmendur kështu me radhë sektorët në të cilët ka investuar kjo ministri gjatë periudhës vjeçare.

“Qëllimi kryesor në sektorin e punësimit ka qenë funksionalizimi i sistemit të regjistrimit të punëkërkuesve ku janë 115,868 punëkërkues të regjistruar prej tyre 50,666 femra. Një numër i madh i punëkërkuesve nuk janë ne gjendje të hyjnë në tregun e punës andaj duhet investuar shumë në këtë drejtim”, ka thënë Abrashi, raporton Indeksonline.

Ai tha se kemi një numër prej mbi 500 persona më shumë te trajnuar se sa vitin e kaluar. “Ndërtimi i Qendrës së Aftësimit Profesional në Gjakovë, trajnime për ndërmarrësi në Prishtinë, Prizren, Gjilan, aftësim dhe përkrahje në formë grantesh në Prishtinë, Mitrovicë, Ferizaj, Graqanicë, Mitrovicë, Leposaviq, Vushtrri dhe Gjilan etj.”, tha ai.

Më tej ai tha se ka pasur zbatim progresiv i Marrëveshjes Kolektive, hartim i draft-planit strategjik për KES-in, pjesëmarrje dhe lobim në Konferencën e ILO-së etj.
Abrashi ka theksuar se përkrahja sociale ka qenë një ndër sektorët që e kanë trajtuar më me prioritet.

Ai ka theksuar se rritja e pagesës për asistencë sociale për 25% për rreth 26.000 familje ka ngritur pragun mes 40-120 euro sa ishte, në 50-150 euro sa është tash. “Ka filluar për herë të parë licencimi i ofruesve të shërbimeve sociale ku janë licencuar 733 ofrues publik dhe privatë, në shumën prej 100 euro për muaj janë përkrahur 2,750 familje etj, kemi kursyer 3 milionë euro.”, tha ai.

Eco Higjiena

Abrashi tha se është miratuar Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për aftësim, riaftësim profesional dhe punësimin e personave me aftë të kufizuara.

“Kemi investuar në shumë komuna të Kosovës, kemi bërë ndërtimin e shtëpisë për komunitete në Novobërdë, qendrën për Aftësime Profesionale Gjakovë, Zyrës Komunale të Punësimit në Suharekë si dhe shumë projekte të tjera që janë në përfundim e sipër”, tha ai.

Abrashi ka folur për Ligjin e Trepçës ku ka theksuar se ky ligj ka hy në fuqi kur e kanë marr mandatin.
“Meqë kjo çështje ka qenë në disa media dhe ka të bëj me rreth 50 pensionistë, të cilët nuk kanë përvojë 50 vjeçare, sepse ligji parasheh që pensione të marrin ata që kanë përvojë 50 vjeçare. Ka pasur rreth 1 mijë persona të cilët kanë marrë pensione deri në 5 vite pas vdekjes së familjarëve të tyre e që buxhetit i ka kushtuar mbi 1 milion euro”, ka thënë Abrashi, raporton Indeksonline.

Ai tha se ministria që udhëheq ka buxhetin më të madh, por është i pamjaftueshëm.
Duke folur për çështjen e migrimit Abrashi ka theksuar se familjet e kthyera kanë një fond të posaçëm i cili është ngrit si kërkesë e liberalizimit.

“Migrimi i madh e ka zënë këtë departament të papërgatitur. Rreth 60-70% të emigruarve janë kthyer vullnetarisht. Fondi për emigrantët është 3 deri ne 4 milionë euro”, theksoi Abrashi, duke shtuar se prioritet për vitin 2016 mbetet punësimi.