KKGJILAN

Abdyli: ”Pse të privilegjohet “Don Bosko”?

/ 4 minuta lexim

Gjilan – Pse të privilegjohet “Don Bosko”. Cili është misioni i saj? Cili është ndikimi i saj? Cila është arritja e nxënësve të saj? Cilat janë përfitimet, pasi kjo është një shkollë me pagesë? Të analizohen pasojat e këtij privilegji, se nesër kushdo që hap një shkollë të pavarur, private, me pagesë, do të ketë të drejtë të përfitojë tokë falas nga komuna dhe atë për 40 vite siç ka qen propozimi nga Kryetari i komunës ka thënë Riza Abdyli shef i grupit të PDK-së në Gjilan.

Kuvendi i komunës së Gjilanit në seancën e fundit, ndër të tjera, e kishte në rend të punës edhe propozimin e kryetarit të komunës për dhënien në shfrytëzim të tokës komunale (për afat të gjatë), për nevojat e funksionimit dhe të zhvillimit të Qendrës Social-Edukative (QSE) “Don Bosko”.

Ky propozim ka ngjallur polemika të shumta dhe të ashpra nga opozita.

Riza Abdyli ndërkaq ka shfaqur dilemat e shumta për privilegjin që po i bëhet kësaj qendre.

Eco Higjiena

“Pasi që kryetari i komunës dhe mekanizmat tjerë të fushës së edukimit dhe të administratës në Gjilan, ishin bindur se QSE e këtij profili do të ishte në dobi të veçantë për publikun e komunës, kuvendi i komunës në vitin 2012 kishte marrë vendim dhe pastaj ishte nënshkruar marrëveshja për dhënien e tokës komunale në shfrytëzim për maksimumin kohor të lejuar atëherë me ligj, e që ishte 10 vite. Në këtë marrëveshje thuhet qartë që QSE është njëri nga aktivitetet edukativo-arsimore të komunës nën ombrellën e drejtoratit të saj të arsimit dhe me të cilin duhet të bashkëpunojë përhershëm. Në po të njëjtën marrëveshje thuhet që QSE është e obliguar që të performojë bazuar në strategjinë e arsimit të Komunës dhe të Republikës së Kosovës. Kjo do të thotë se shkolla “Don Bosko” është e obliguar që secilin fillimvit ta informojë dhe secilin fundvit t’i raportoje drejtoratit të arsimit në Gjilan, për suksesin dhe për të gjitha zhvillimet në këtë qendër. Sipas nevojës dhe me kërkesë të kuvendit të komunës, i raporton edhe kuvendit të komunës. Pra, drejtorati ka qenë dhe është i obliguar që ta përcjellë përhershëm performancën e QSE “Don Bosko” në Gjilan, sikur edhe secilën shkollë tjetër nën fushëveprimin e tij. QSE është e obliguar që ta humanizojë dhe ta ruajë ambientin urban po ashtu” ka sqaruar Abdyli.

Sipas tij në rast të mos përmbushjes së këtyre obligimeve, komuna e ka të drejtën edhe me e shkëputë këtë marrëveshje edhe para skadimit të afatit prej 10 vitesh. “Pra, PDK në Gjilan kërkon qasje të qartë procedurale dhe parimore për këtë çështje. Derisa nuk na bëhet e ditur performanca e qartë e shkollës dhe derisa nuk bindemi në dobinë e dukshme publike të kësaj shkolle për komunën e Gjilanit dhe për rajonin tonë, ne nuk votojmë për zgjatjen e afatit të shfrytëzimit të tokës për këtë shkollë. Nëse vazhdohet dhe merret vendim i njëanshëm në këtë kuvend, atëherë ne si grup i këshilltarëve do ta kontestojmë me argumente këtë vendim në MAPL, sepse si i tillë është jashtë procedurës së rregullt, e shkelë marrëveshjen e vitit 2012 dhe bëhet vendim joligjor. Nëse është nevoja do ta kalojmë këtë kontest edhe në gjykatë” ka sqaruar Riza Abdyli.

Sipas tij dilemat e tjera janë: Pse të privilegjohet? Cili është misioni i saj? Cili është ndikimi i saj? Cila është arritja e nxënësve të saj? Cilat janë përfitimet, pasi kjo është një shkollë me pagesë? Dhe të analizohen pasojat e këtij privilegji, se nesër kushdo që hap një shkollë të pavarur, private, me pagesë, do të ketë të drejtë të përfitojë tokë falas nga komuna dhe atë për 40 vite siç ka qen propozimi nga Kryetari i komunës ka nënvizuar Abdyli./rajonipress/