RCCOLA

Abdixhiku: Qeveria me mosveprim po e rëndon edhe më shumë gjendjen ekonomike

/ 2 minuta lexim

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në kuadër të ciklit debatues e diskutues me qytetarë “LDK ju dëgjon”, ka qëndruar në Obiliq.

Ai ka folur edhe për krizën energjetike, për të cilën tha se e ka rënduar edhe më shumë jetën e qytetarëve tanë.

“Kriza energjetike ka rënduar jetën e qytetarëve; para nesh kemi një dimër të vështirë, do të përballemi me mungesë të energjisë elektrike. Një Qeveri e përgjegjshme që ka kaluar një dimër në krizë deri tash do të duhej të bënte të gjitha përgatitjet për të kaluar këtë dimër më lehtë. Kjo papërgatitje e thellon edhe më tutje krizën e cila do të sjellë pasoja për qytetarët tanë dhe për industrinë në vendin tonë”, tha Abdixhiku.

Ai theksoi se në rrafshin e investimeve të huaja të drejtpërdrejta, Kosovës më shumë se kurrë i mungojnë investitorët strategjik për shumë arsye; vonesa të vazhdueshme si pasojë e byrokracisë, ambient i pafavorshëm politik e ekonomik.

Hidromorava

“Paramendojeni se cila kompani me fuqi të mëdha financiare do rrezikonte kapitalin e vet, kur e dëgjon kryeministrin e vendit tonë, të flet në çdo intervistë për luftë. Ky diskurs është shumë i rrezikshëm jo vetëm për rrafshin ekonomik por edhe atë politik.”

Abdixhiku ka folur edhe për vizionin e LDK-së si dhe për ofertën që ka për qytetarët karshi çdo sfide.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, ka ofruar plan konkret për të zgjidhur dhe kaluar sa më lehtë krizën ekonomike. Për më tepër, platformën tonë po e hartojmë duke dëgjuar përditë qytetarët e Kosovës. Nevojave dhe kërkesave të tyre ne u po ju japim përgjigje e alternativë, andaj ky diskutim e shkëmbim idesh e mendimesh do të jetë boshti i planit tonë qeverisës”, ka përfunduar kryetari Abdixhiku.