KKGJILAN

Abdixhiku pranon ftesën e Kurtit: Çështjet kombëtare duhet të jenë mbi politikën ditore

/ 4 minuta lexim

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pranuar ftesën e kryeministrit Albin Kurti, për takimin informues rreth dialogut me Serbinë, i cili do të mbahet të marten.

“Ftesa e Kurtit vjen me vonesë, por meqë besoj se çështjet kombëtare duhet të jenë mbi politikën ditore, do ta pranoj këtë ftesë”, ka njoftuar Abdixhiku në Facebook.

Ai megjithatë është shprehur i pakënaqur që deri më tani për dialogun është informuar vetëm nga ndërkombëtarët e jo nga kryeministri.

“Kam pritur një proces më transparent dhe më gjithëpërfshirës rreth procesit të dialogut. Deri më tani, informimin e vetëm dhe të detajuar, LDK e ka pranuar vetëm nga aleatët ndërkombëtarë – të cilët në vazhdimësi i kanë qëndruar Kosovës në krah. Në këtë drejtim, dua të falënderoj në veçanti të dërguarin amerikan për Ballkan z. Escobar, ambasadorin amerikan në Prishtinë z. Hovenier; sikurse dhe të dërguarin e BE-së z. Lajçak. Në takime me ta, kam rikonfirmuar mbështetjen e plotë për masat e reciprocitetit; sikurse kam dhënë mbështetjen e plotë për vet procesin e dialogut”.

Abdixhiku ka thënë se qëndrimet e subjektit që drejton për dialogun mbeten të njëjta pasi sipas tij dialogu mbetet interes nacional i Kosovës.

Sipas të parit të LDK-së, arritja e marrëveshjeve për tema të copëzuara shkon në interes të Serbisë.

Mobi Casa

“Qëndrimi ynë për dialogun është i qartë dhe i pandryshueshëm. Ne besojmë se dialogu është interes kombëtar i Kosovës, dhe jo prioritet i fundit, siç besoj ta ketë mësuar kryeministri tashmë. Besojmë se nëpërmjet dialogut Kosova duhet të arrijë drejt marrëveshjes finale me njohjen reciproke në thelb të saj. Po ashtu, besojmë se dialogu i copëzuar, për tema teknike e jo për kornizën e gjithmbarshme, është në interes të Serbisë edhe atëherë kur arrihen fitore të pjesshme për ne. Sot Kosova duhet të ulet e insistojë për marrëveshjen finale, me SHBA-të dhe BE-në si garantuese të saj. Është detyrë e kryeministrit të ushtrojë kompetencat e tij kushtetuese në përmbylljen e këtij procesi vital për shtetin tonë. LDK do të mbështesë çdo marrëveshje finale që plotëson të tri kriteret e padiskutueshme:

1) respektimin e plotë të Kushtetutës së Kosovës;

2) ruajtjen e integritetit territorial të vendit; dhe 3) sigurimin e njohjes reciproke. Këtë qëndrim do t’ia bëjë të qartë kryeministrit Kurti”.

Abdixhiku thotë se ka mbështetur Kurtin në raport me temat që lidhen me reciprocitetin dhe sipas tij këtë gjë u aka bërë të ditur edhe ndërkombëtarëve.

“Kjo mbështetje nga eksponentë të partisë në pushtet është përdorur me qëllime keqinformimi, sa të jepej përshtypja se relacioni s’bëhet me Serbinë por me opozitën në vend; ndërsa nga zërat kritik të shoqërisë mbështetja jonë është parë si shenjë e opozitarizmit të dobët. Të vetëdijshëm mbi kritikat dhe mospajtimet rreth qasjes sonë, për dallim nga e kaluara jonë polarizuese që ky pushtet e ka ushqyer gjithmonë, ne kemi zgjedhur që përballjen për sovranitet e ligjshmëri kundrejt Serbisë të mos e bëjmë temë nacionale në Kosovë. Shtetin dhe pushtetin e dallojmë në thelb të veprimit tonë politik. Jo se është dalluar në të shkuarën, por s’jemi si ta, s’duam të bëhemi si ta”, ka thënë ai./Telegrafi/