Abdixhiku për masakrën në Krushë të Madhe: Pa sakrificën e familjeve të dëshmorëve liria s’do të kishte kuptim
Sot, në 22-vjetorin e masakrës në Krushë të Madhe, kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku e ka përkujtuar atë.
Ai ka thënë se vrasjet dhe masakrat e shqiptarëve tronditën botën mbarë dhe vunë në lëvizje diplomacinë perëndimore për ta ndalur gjenocidin në Kosovë.
“Sot përkujtojmë njërën prej masakrave më të tmerrshme që kanë ndodhur në Kosovë. Ndër krimet më të tmerrshme të Serbisë, atë në Krushë të Madhe, ku u vranë dhe masakruan 243 shqiptarë, civilë të pafajshëm. Po ashtu përkujtojmë dhe nderojmë sakrificën e familjes Berisha nga Suhareka, ku më 25 mars 1999 anëtarët e saj u vranë nga forcat e regjimit të Milosheviqit. Vrasjet dhe masakrat e shqiptarëve shokuan botën mbarë dhe vunë në lëvizje diplomacinë perëndimore për ta ndalur gjenocidin në Kosovë”, thuhet në komunikatën e dërguar për media.
Sipas Abdixhikut, pa sakrificën e familjeve të dëshmorëve liria e sotme nuk do ta kishte kuptimin e njëjtë.
“Shumë familje ende jetojnë mes dhimbjes dhe forcës nga mungesa e më të dashurve të tyre, prej të cilëve shumë janë ende të pagjetur. Pa sakrificën e këtyre familjeve liria e sotme nuk do ta kishte kuptimin e njëjtë. Lavdi të rënëve për liri!”, thuhet në komunikatë. /Zëri


