Abdixhiku pas takimit me Osmanin dhe drejtorin e AKI-së: Djemtë e vajzat fituan betejën kundër terrorizmit në terren, koha ta fitojmë atë diplomatike
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka bërë të ditur se ka pasur takim me presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
Abdixhiku në një postim në Facebook shkruan se ka shprehur po ashtu domosdoshmërinë e unitetit nacional në përballje me sfidat që mund të vijnë nga Serbia, si shtet sponsorizues e strehues i terroristëve.
Lexoni të plotë postimin e kryetarit të LDK-së:
Të dashur qytetarë,
Mbrëmë, kam pranuar ftesë nga Presidentja e Kosovës për takim të përbashkët me të dhe Drejtorin e AKI-së. Këtë mëngjes, në takimin e përbashkët, jam informuar mbi gjendjen e sigurisë në veri të vendit dhe angazhimin e institucioneve shtetërore – veçmas ato të sigurisë e inteligjencës – në përballje me sulmet terroriste gjatë ditëve të fundit; dhe jo vetëm.
Kam shprehur mirënjohjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të gjithë në shërbim. Kam shprehur po ashtu domosdoshmërinë e unitetit nacional në përballje me sfidat që mund të vijnë nga Serbia; si shtet sponsorizues e strehues i terroristëve.
Djemtë e vajzat tona fituan betejën kundër terrorizmit në terren.
Është koha ta fitojmë atë diplomatike në politikë.
Në këtë përpjekje jemi bashkë. Në këtë përpjekje na duhen aleatë. /Telegrafi/