RCCOLA

Abdixhiku në Kongresin e PPE-së: Serbia promovuese dhe strehuese e terrorizmit

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Në Bukuresht po mbahet Kongresi i Partive Popullore Evropiane. Në këtë kongres ishte i ftuar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

I pari i kësaj partie, përderisa po fliste për luftën në Ukrainë dhe ruajtjen e rendit ndërkombëtar, tha se ai i përket brezit të fundit evropian, që ka dëshmuar luftën dhe ka fatin e një lufte, shprese dhe gëzimi të tillë, çerek shekulli më parë.

“Në fund të viteve të 90-ta, ndërsa Serbia e Millosheviçit zhvilloi një luftë agresioni kundër Kosovës në përpjekje për të spastruar etnikisht popullin tonë dhe për të fshirë atdheun tonë nga harta, demokracitë perëndimore na qëndruan pranë. Ne fituam së bashku. Millosheviqi dështoi. Le të presim me padurim ditën që Putini të dështojë gjithashtu, dhe Ukraina të mbizotërojë, në mënyrë që ne të mund të jetojmë në një Evropë të plotë dhe të lirë”, deklaroi Abdixhiku në Kongres.

Mobi Casa

Por sipas Abdixhikut edhe çerek shekulli pas luftës, Serbia saboton kombin tonë, e vë në dyshim ekzistencën tonë si dhe kërkon nënshtrim.

“Duhet të vijë koha që Bashkimi Evropian ta përqafojë Kosovën plotësisht, duke njohur hapat që kemi bërë drejt demokracisë, sundimit të ligjit dhe zhvillimit ekonomik. Udhëtimi ynë është shënuar nga sfida të rëndësishme, megjithatë angazhimi ynë për integrimin evropian ka mbetur i palëkundur”.

Kryetari i LDK-së bëri thirrje për ato pak vende që nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë këtë. Sepse sipas tij mbështetja e tyre është vendimtare për avancimin e stabilitetit, paqes dhe prosperitetit në rajon.

“Aspiratat e Kosovës përputhen me këtë vizion, dhe përfshirja jonë në familjen evropiane do të shënonte një hap të rëndësishëm drejt realizimit të një Evrope të plotë dhe në paqe. Shfrytëzoj rastin të përfundoj fjalët e mia duke thënë se EPP ka qenë gardiane e Evropës demokratike, ashtu siç ka qenë LDK-ja gardiane e Kosovës demokratike”, përfundoi Abdixhiku./Telegrafi/