Fundamenti

Abdixhiku: Kurti nuk e bën dot Kosovën shtet evropian

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kryeministri, Albin Kurti, nuk e bën dot Kosovën shtet evropian.

Madje sipas tij, Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht, derisa ka shtuar që Serbia ka përkrahjen e tyre më shumë se çdo herë tjetër.

“Të dashur qytetarë të Republikës, Albin Kurti nuk e bën dot Kosovën shtet evropian. Ai, grupi i tij ideologjik nga Tirana, analistët e paguar e mediat e pushtetit janë në misionin e tyre ultim të përplasjes përfundimtare të shtetit. Në sinkron, i pari na dërgon drejt përplasjes, të dytit e bëjnë këtë çmenduri të duket bukur. E vërteta është e trishtë. Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht se sa sot. Serbia nuk kanë pasur kurrë më shumë përkrahje ndërkombëtare se sa sot. Ata po fitojnë. Ne po humbasim. Kauza e tyre e autonomisë territoriale në Kosovë po merr formë teksa ne mjaftohemi me të drejtën tonë në përballje me gjithë botën”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Mobi Casa

Më tej, Abdixhiku ka shkruar se Kurti nuk është pjesë e rrugës së re të Kosovës drejt familjes euroatlantike.“Kosova ka një rrugë të re. Një që e dërgon shoqërinë tonë, gjeneratat e tashme e të ardhme drejt familjes euroatlantike. Një që fiton përballë Serbisë brenda e ndërkombëtarisht pa dallim. Kjo rrugë nuk ka Albin Kurtin në të. Këtë rrugë duhet ta bëjmë ne. Për këtë rrugë na duhet ndihma e të gjithëve. E atyre që besojnë në Republikën, në rrugëtimin euroatlantik e në fundamentet bazike të kësaj shoqërie”, ka shkruar tutje kreu i LDK-së.

Në përmbyllje, Abdixhiku ka thënë që do ta prezantojnë planin e LDK-së për kapërcimin e izolimit të krizës, mirëpo sipas tij, kapërcimi i kësaj situatë ka nevojë për përfshirjen e të gjithëve.“Prandaj, gjatë ditëve në vijim, do të ftoj akterë të shoqërisë civile, akademisë, sektorit privat, mërgatës, mediave e opinionistëve, partive politike, shqiptarëve në rajon e miqve të Kosovës nëpër botë për të ndërtuar rrugën e vërtetë. Do t’u prezantojë dhe planin e LDK-së për kapërcimin e izolimit e krizës. Në këto takime do të kërkoj mbështetje për ndërtimin e masës kritike e zërit alternativ që bota perëndimore duhet ta dëgjojë nga ne tani. Vendi ynë ka një të ardhme ndryshe nga çfarë na projektohet sot. Kosova mundet më mirë”, ka përfunduar Abdixhiku.