RCCOLA

Abdixhiku: Kosova duhet të shmangë çdo përfundim që duhet të zgjedhë mes ligjshmërisë dhe aleatëve të vet

/ 9 minuta lexim
Uji Dea

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se përqendrimi tek çështje teknike apo me rëndësisë më të vogël, përballë nevojës për një marrëveshje me Serbinë, nuk është në favor të interesave të vendit dhe atyre euro-atlantike.

Sipas tij, vendi ka nevojë të bëjë përpara së bashku me aleatët e vet, me synim arritjen e një marrëveshjeje finale që ka në thelb të saj njohjen reciproke.

Këto deklarata ai i bëri ndërsa ndodhet për një vizitë në SHBA.

Ajo që po ndodh sot në Kosovë dhe në veri të saj rrezikon që të përshkallëzohet edhe më tej, duke filluar nga dita e hënë, kur nis dhe zbatimi i fazës tjetër lidhur me vendimit mbi targat, ai i vendosjes së gjobave. Ka një përpjekje nga Bashkimi Evropian për të ulur në një takim zotin Kurti dhe zotin Vuçiq. Nuk është ende e qartë data nëse ky takim do të ndodhë nesër, gjatë fundjavës apo të hënën. Si parashikoni ju, si mund të zgjidhet situata dhe si mund të shmanget tensioni atje?

Abdixhiku: Tani ne besojmë se janë dy çështje që Kosova duhet t’i ketë parasysh dhe ajo më e rëndësishmja ka të bëjë me stabilitetin brenda territorit të vet, pra brenda Republikës së Kosovës. Është esenciale që në kohë të zhvillimeve të ndryshme të sigurisë në kontinent, Kosova të mos bëhet vatër e provokimeve të Serbisë që më pas do të prodhonin situata të paparashikueshme, por që në këtë fazë për Kosovën është e rëndësishme që të ketë koordinim të plotë me faktorin ndërkombëtar me theks të veçantë me Shtetet e Bashkuara dhe aleatë të tjerë evropianë. Prandaj, besoj që çdo vonesë në këtë koordinim të ngushtë lë hapësirë edhe për destabilizim të vendit edhe për situata të paparashikueshme, por mbi të gjitha lë gjurmë të pariparueshme të marrëdhënieve që Kosova do t’i ketë me aleatët e vet. Çështja e dytë që Kosova duhet ta ketë parasysh ka të bëjë me shmangien e “status quo-së” në marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë në dialog. Çdo vonesë e Kosovës, pra çdo marrje me çështje teknike me çështje të rëndësisë më të vogël, nuk është në favor të Republikës së Kosovës dhe interesave tona euro-atlantike. Ne kemi nevojë për përkushtim në dialog, kemi nevojë për guxim politik, për ecje të përbashkët me aleatët tanë dhe për kërkimin e marrëveshjes finale që ka njohjen reciproke në thelb të saj.

Aleatët kanë kërkuar që vendimi për targat të shtyhet me 10 muaj. Qeveria nga ana tjetër thotë se nuk ka qartësi se çfarë do të ndodhte gjatë kësaj periudhe. Për çfarë do të shërbenin këto 10 muaj. Çfarë duhet të ndodhte sipas jush?

Hidromorava

Abdixhiku: Këto diskutime duhet t’i bëni me aleatët tanë. Kosova duhet të shmangë çdo përfundim që duhet të zgjedhë mes ligjshmërisë dhe aleatëve të vet. Një qeveri që sjell popullin e Kosovës të zgjedhë mes ligjshmërisë në territorin e vendit dhe aleatëve të vet që në fillim ka bërë zgjedhje të gabuar pasi ne s’mund të ecim as pa aleatë e as pa ligjshmëri. Pra, aleanca dhe koordinimi me partnerët tanë, bëhet në shërbim të vënies së ligjshmërisë. Asnjë zë publik ose ndërkombëtar nuk po i kërkon të bëjë ndryshe për të vendosur ligjshmërinë në gjithë territorin e vet, por në periudhën e tanishme është jetike që Kosova të mos bëhet pjesë e grackës destabilizuese në rajon nisur padyshim nga Beogradi dhe më pas të krijojmë një situatë të re nga e cila s’mund të dalim. Momentalisht, dorëheqja e komunitetit minoritar në Kosovë nga institucionet e Republikës lë vakuum ekzekutiv në vend dhe edhe më pak deklarata shqetësuese ndaj pozicionit tonë lë një gjurmë që më pas bëhet vështirë e riparueshme. Këtë e kemi vërejtur dhe po e vërejmë në komunikimin tonë publik me aleatë gjithandej, edhe këtu në Shtetet e Bashkuara edhe në Evropë.

Si e shikoni ndërkohë vendimin e Presidentes së Kosovës e cila caktoi datën e zgjedhjeve në 18 dhjetor, zgjedhje të parakohshme në komunat në veri duke pasur parasysh situatën që paraqitet atje. Lista Serbe e ka bërë të qartë, nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje. Ata dje shkuan në Kuvend, morën teknikisht dhe me një qasje strategje sikurse thanë mandatet e deputetit, u betuan, lanë sallën. A mund të zhvillohen zgjedhje në këto kushte atje?

Abdixhiku: Tani ne kemi marrë pjesë në procesin konsultativ si parti me presidenten e vendit sepse ne konsiderojmë që proceset janë të parapara brenda kornizës të rregullimit kushtetues të Kosovës, nga e cila kornizë konsiderohet se LDK-ja nuk mund të dalë ashtu si asnjë faktor politik, por tani këto janë teknikalitete, janë çështje me më pak rëndësi. Çështja e madhe e rëndësishme është stabiliteti politik në Kosovë, aleancat strategjike që Kosova ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe fokusimi në marrëveshjen finale që ka njohje në vend. Por derisa merremi me çështje teknike, Kosova futet në agjendën e Serbisë, që është ta zgjasë sa më tepër procesin e dialogut, të krijojë temat të rëndësive të ndryshme, qoftë nga tabelat, qoftë nga licencat, qoftë nga dokumente të tjera që janë të rëndësishme për sa i përket ligjshmërisë por që s’duhet të eklipsojnë fotografinë e madhe, elefantin në dhomë që është marrëveshja finale rreth njohjes. Kemi zhvillime të reja politike në kontinent, kemi momentin tonë të mirë që Kosova duhet ta shfrytëzojë, ka çdo arsye që të ketë aleancë të shëndoshë në këtë shfrytëzim të rrugëtimit të vet, prandaj të tëra çfarë duhet tani është vendimmarrje politike që këtë mundësi të rrallë historike që ka Kosova ta shfrytëzojë me maturi dhe mençuri. Në historinë tonë të 30 viteve të shkuara momente të tilla historike kanë prodhuar rezultate të mira për vendin tonë sa herë që kemi ecur bashkë me mençuri dhe maturi me aleatët tanë por duke mbrojtur interesat sovrane të popullit shqiptar në Kosovë dhe të shumicës e pakicave të tjera të vendit

Duket sikur situata në veri të Kosovës, e krijuar për atë që ju thatë se është një çështje teknike, pra ajo e targave ka lënë jashtë qendrës së vëmendjes problemet jetike me të cilat përballet sot Kosova. Vendi përballet me një krizë energjetike, rritje të kostos së jetesës për qytetarët. Shumë të rinj vazhdojnë të largohet nga Kosova dhe kjo nuk është përgjegjësi vetëm e qeverisë aktuale, është përgjegjësi edhe e qeverive të mëparshme ku ka qenë edhe partia juaj. Si opozitë çfarë po bëni ju ndryshe për ta përqendruar vëmendjen tek problemet me të cilat përballen sot qytetarët e Kosovës?

Abdixhiku: Ne jemi të interesuar të vëmë edhe stabilitet për sa i përket pikënisjes sonë strategjike si vend dhe jemi të interesuar edhe për të bërë progres ekonomik shoqëror politik në të gjitha fushat në të cilat ballafaqohen qytetarët tanë. Për ne është e rëndësishme çështja e sigurisë, si temë bazike me të cilën ballafaqohemi tani dhe hapja e dyerve në procesin euro-atlantik. Prandaj edhe në këtë vizitë unë këtu në Uashington ne kemi pasur tri kërkesa të qarta edhe në Departamentin e Shtetit edhe në Departamentin e Mbrojtjes dhe në Kongres dhe në takimet tona të vazhdueshme. Këto kërkesa janë pak a shumë elementare për sa i përket sigurisë por janë shumë të domosdoshme për sa i përket jetës së Kosovës. E para ka të bëjë me ngritjen e nivelit bilateral të bashkëpunimit mes Kosovës dhe SHBA nëpërmjet nënshkrimit të kartës për partneritet strategjik, një kartë që Kosova nuk e ka me SHBA dhe shumë vende të tjera të rajonit e kanë, dhe brenda kësaj karte me bazë do të koordinojmë edhe punët e mbrojtjes edhe punët e avancimit ekonomik, kulturor dhe edukativ e kështu me radhë. E dyta ka qenë kërkesë në shndërrimin e Kampit të Bondstillit në kamp permanent në Kosovë dhe e treta ka qenë hapja e perspektivës për integrim në strukturën e sigurisë së NATO-s. Për Kosovën përveç çështjeve të integrimit brenda komunitetit evropian, jetike është që të ketë edhe integrim të sigurisë brenda aleancës strategjike të NATO-s. Tani po të kemi sigurinë do të fokusohemi edhe në probleme të tjera bazike të qytetarëve tanë, pra në krizën energjetike që po na vjen me një dimër të rëndë, në arsim, në shëndetësi, në ikjen masive të të rinjve, por në vizitën tonë në Uashington këto tema të brendshme të Kosovës nuk i kemi pasur në agjendë. Për neve këtu ka qenë agjenda e rrugëtimit historik që ka pasur tash e 33 vite që në thelb është ruajtja, mirëmbajtja dhe ecja e sigurtë në hapa të përbashkët me aleatin tonë kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /VoA/