Abdixhiku: Ka diçka të pazakontë në eksodin e kosovarëve
Analisti Lumir Abdixhiku vlerëson se “ka diçka të pazakontë në gjithë eksodin kosovar për në Evropë”. Dhe kjo pazakonshmëri, sipas tij, buron nga lehtësia e ikjes.
“Kujtoni, vetëm gjashtë vite më parë plot 15 kosovarë, kryesisht gra e fëmijë, kishin gjetur vdekjen në lumin ‘Tisa’ në përpjekje dëshpëruese për të kaluar ilegalisht kufirin për në Hungari. Sot ndërsa, kufiri ‘evropian’ kalohet – besoni ose jo – nëpër rrugë krejtësisht të lehta, mu para syve të policëve e gardianëve kufitarë; diçka vështirë e pranuar për dikë që refuzimin do ta kishte ndërmend”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook
Më tej ai ka shkruar se në këso rrethana dalin tre konkluzione:
“I pari, që kufijtë janë hapur me paramendim për të shtendosur pakënaqësitë sociale në Kosovën e dërmuar e zaptuar ekonomikisht dhe politikisht. Në këtë hapje, bashkëpunëtorë të supershteteve evropiane, me ose pa paramendim, domosdo do të duhej të ishin vet autoritetet e Hungarisë ku parapërfundojnë kosovarët, ato të Serbisë (madje me shumë kënaqësi) nga ku kalojnë lirshëm kosovarët – dhe padyshim të Kosovës prej ku dhe nisë gjithçka. Gjithë kjo tolerancë evropiane ka pak gjasa të jetë aksidentale e prej neglizhence.
I dyti, se fluksi i madh i ikësve do të ndërpritet shpejtë; nuk mund të zgjasë përjetësisht; në të kundërtën do të zbrazej – me plot kuptimin e fjalës – Kosova në tërësi. Dhe kjo ndërprerje do të fillojë në momentin e parë që vendet pranuese do të ngopen me azilkërkim. Kur të ngopen, dhe pas mbylljes së kufijve, do të fillojë procesi i trajtimit të të larguarve. Disa – të vetëseleksionuar – do të marrin ushqim, strehim e tolerancë për qëndrim afatshkurtër; ndoshta dhe do të gjejnë punë. Të tjerët ndërsa, do ta kenë ose fatin e kampeve të padurueshme hungareze deri në dorëzim e kthim, ose kapjen nëpër Evropë e kthimin jovullnetar për në Kosovë.
I treti, fillimi i kthimit do të nisë një kapitull të ri po aq të vështirë sa ikja; ripërshtatjen e të larguarve sërish me jetën në Kosovë. Do të jenë të goditur në veçanti ata që kanë pasur një punë apo kanë shitur një pasuri vetanake para ikjes; pas kthimit s’do ta kenë asnjërën. Do të kthehen për të nisur një jetë nga një pikë më të rëndë se nga paraikja – dhe kjo s’ka për të qenë fare e lehtë” (sic), ka shkruar Abdixhiku. /Telegrafi/


