RCCOLA

Abazi: “Vetëmenaxhoj” është folje, “Asociacioni” emër – ky është dallimi i vetëm

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, thotë se marrëveshja e panënshkruar e Ohrit ngjason me atë të vitit 2013, pasi në të kërkohet të implementohet edhe Asociacioni, raporton Ekonomia Online.

Ish-zëvendëskryeministri ka kritikuar këtë marrëveshje për faktin se ajo e trajton komunitetin serb në Kosovë si një minoritet special, teksa i lejohet edhe komunikimi me Beogradin.

Ndërsa, për fjalën vetëmenaxhim, Abazi thotë se është e njëjta me vetëqeverisje, e se kjo “lojë fjalësh” nga Kurti është tentim për ta “mjegulluar” një situatë që tanimë është mjaft e paqartë.

Ai u ndal te pika shtatë dhe dhjetë e marrëveshjes, që i cilësoi pika kyçe, teksa ka thënë se Kosova është e obliguar t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë. “Pika shtatë krijon një gradacion në të drejtën edhe definimin e komunitetit serb si minoritet special në Kosovë, duke krijuar kanale te veçanta të komunikimit me qeverinë e Kosovës, që do të thotë është ndikuar jashtë strukturës qytetare ky grup etnik. Në anën tjetër, i lejohet e i mundësohet me marrëdhënia me Beogradin. Në një formë kjo na thotë që ka mbetur ende në fuqi dora e zgjatur e Serbisë e se është pranuar nga bashkësia ndërkombëtare e nga autoritetet e Kosovës, dora e zgjatur e Serbisë si instrument politik që përdor serbët në Kosovë. Finalja është tek pika 10 e cila obligon palët për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara të kaluara që përfshin Asociacionin”, ka thënë Abazi për EO.

Fundamenti

Deputeti i LV-së është ndalur edhe te fjala “vetëmenaxhim”. Ai ka thënë se tentimi për ta interpretuar ndryshe Asociacionin, është tentim për “të hedhur mjegull mbi situatën”, e cila tanimë është e mjegulluar. Sipas tij, kjo fjalë ka kuptimin e njëjtë me Asociacionin.

Ai pati kritika edhe për mos transparëncën e Qeverisë, veçanërisht pas propozimit të planit evropian.“Tentimi me interpretu në gjuhën shqipe fjalën eksplicite, definitive që përfshihet në pikën 10 në fjalinë e fundit është asgjë më shumë se sa tentim për me hedh mjegull në situatën, po ashtu të mjegulluar. Është mbajtur në mënyrë konfidenciale i gjithë procesi dyvjeçar, e sidomos pas paraqitjes së Planit Franko-Gjerman. Po e njëjta është, ‘vetëmenaxhimi’ është folje, me menaxhu është folje, ndërsa asociacion është emër. Çka ka ndodhur është zbërthyer prej emrit në funksion”, u shpreh ai.

Sipas Abazit, ekziston një marrëveshje për rikthimin e hartave kadastrale në Kosovë, të cilat pas implementimit të Asociacionit do t’i dorëzohen komunave me shumicë serbe.“Ka një marrëveshje për kthimin e hartave kadastrale në Kosovë. Serbia nuk e ka zbatuar këtë marrëveshje të nënshkruar për kthimin e hartave kadastrale. Në rastin e aprovimit, e ekzekutimit të vetëmenaxhimit si koncept, Serbisë nuk mundet askush me ja ndalu që këto harta kadastrale t’i dorëzohen komunave serbe në Kosovë të cilat do t’i menaxhojnë me këto harta. Kjo do të thotë se menaxhimi është i pa definuar edhe i pa limituar deri tani. Se çka do të thotë në kuptimin e funksioneve që bartin këto komuna dhe kjo strukturë, menaxhimi mund të jetë gjithçka dhe fakti që është futur si fjali aty për t’i ikur fjalës ‘vetëqeverisje’ sepse edhe qeverisja është menaxhim, ku bashkësia ndërkombëtare ka projektuar interesat e veta që është normale për ta mbajtur paqen dhe stabilitetin”.

Ai ka thënë se tensionet në veri dhe largimi i serbëve nga institucionet, janë faktorët që e kanë sjellë këtë marrëveshje në tavolinë.“Kjo e bën marrëveshjen e 27 shkurtit si një moment i kulmimit të një procesi të gabuar në diskurs për dy vitet e fundit që rezultoi me tensione në veri për punën e targave dhe tërheqjen e serbëve nga institucionet”, tha ai.