Abazi: Në Gjilan kriza po bëhet çdo ditë e më serioze
Gjilan – Sahit Abazi, shef i grupit të këshilltarëve komunal të PDK-së thotë se në Gjilan veç sa po thellohet kriza serioze që e ka kapur secilin institucion komunal dhe po shtohen problemet e qytetarëve.
“Në Gjilan ka ngecje në secilën fushë, ka degradim total duke rrezikuar edhe mbijetesën institucionale, të cilat aktualisht nuk janë të orientuara dhe të angazhuara në punë dhe në shërbim që kanë nevojë qytetarët dhe bizneset, por janë të fokusuara në realizim të interesave të ngushta të pushtetarëve dhe klanit qeverisës në Gjilan e më gjerë”, ka thënë Abazi.
Abazi tha se si pasojë e kësaj qeverisje të përgjumur e jo efikase në Gjilan po humben miliona euro investime.”Vërtet kjo situatë është e pashpresë për qytetarin e Gjilanit dhe e pa shpresë edhe për vetë pushtetin aktual” u shpreh Abazi.
Por Lutfi Haziri i cili madje as që dëshiron të komentojë deklaratat e zyrtarwve të PDK-së me arsyetimin se nuk kanë shkelur përtej Llabjanit ka thënë një ditë më herët se Komuna e Gjilanit ka ndërmarrë të gjitha veprimet për menaxhimin e buxhetit dhe investimeve kapitale, që përfshijnë ndërtimin, rehabilitimin dhe zgjerimin e rrugëve, rrjetin e ujësjellësit, kanalizim e trotuare, sikurse edhe në investime kapitale, duke shtuar se pikërisht këtë muaj do të nis ndërtimi i parkut në lagjen “Dardania”, i bibliotekës së qytetit dhe i stadiumit të qytetit, që janë bashkëinvestime me Komisionin Evropian. /rajonipress/


