AAK: Vetëm Ramushi mund ta qojë vendin përpara

Gjilan – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në Gjilan ka vazhduar me tubimet e saja me nëndegë në kuadër të fushatës elektorale, duke qëndruar sot në Bresalc, ku u takua me banorët të këtij fshati, Poneshit, Verbicës së Zhegocit, Kishnapoles, Gllamës, Gadishit dhe Sllakovcit.
Para qytetarëve u ulën kandidatët për deputetë në Kuvendin e Kosovës nga radhët e AAK-së në Gjilan, të cilët shpalosën me radhë kandidaturën e tyre për një të ardhme më të mirë për qytetarët pa përjashtim.
“Më shqetëson pa masë fakti që vendi jonë është në një gjendje tepër të keqe dhe në një pozitë aspak të lakmueshme. Prandaj unë ju bëjë thirrje që të votoni programin e Aleancës “Drejtim i Ri”, program ky rezultatet e së cilit do t`i shihni dhe pas 4 vitesh do të kërkoni që të jemi akoma në pushtet. Pikërisht tani po qëndrojmë mbi plum, zink në një vend të ashtuquajtur Trepça e dytë, dhe me gjithë këtë pasuri nuk ka mundësi që të mos kemi kushte të mira jete, por ajo që na duhet është qeverisje e mirë dhe njerëz të drejtë. Aleanca ofron zhvillime në sektorin bujqësor dhe investime të mëdha, ku vetëm në këtë sektor është paraparë që të ndahet 7% e buxhetit të Kosovës”, ka thënë Njazi Idrizi.
“Tek po vija në tubim këtu, rrugës pash një poster në të cilin njëri nga një parti politike po përvilte mëngët dhe mendova me vete, çfarë bëtë deri më tani. Është vonë ti përvjelin mangët tani, sepse na kanë shkatërruar pothuajse deri në pikën e fundit dhe e kanë keqpërdorë vendin tonë. Prandaj, ju lus të mendoni, sepse përderisa ata që e shkatërruan një kryeqytet mendoni çfarë mund t`i bëjnë Kosovës, ata që thonë ne duam të rrimë në opozitë e thonë këtë sepse nuk janë të gatshëm të qeverisin. Tani o kurrë është koha që njëherë e mirë të vulosni të ardhmen tuaj, duke i dhënë votën Aleancës dhe duke votuar për programin jetësor për të gjithë”, ka thënë kandidatja tjetër e diplomuar në Angli Magbule Shkodra.
“Jam kthyer në Kosovë sepse edhe pse larg asnjëherë nuk kam pasur mundësi të rrija indiferent ndaj situatës së krijuar në Kosovë. Me një shkatërrim ekonomik të tillë siç e kemi në vendin tonë ne nuk mund të ecim asnjëherë përpara. Çdo biznes ka nevojë për një partner të fortë, e partneri më i mirë i çdo biznesi janë bankat, por që në Kosovë ndodhë e kundërta, ato nuk janë partner i mire sepse ofrojnë kamata ngulfatëse për bizneset”, ka thënë kandidati, i cili u kthye nga Zvicra në Kosovë Fehmi Fetahi.
“Programi qeverisës i AAK-së ngërthen në vete ide të çmuara të arsimit tonë kombëtar, prandaj mendojë se mjaft na kanë udhëhequr njerëzit pa profesion, njerëzit që nuk ia duan të mirën e vendit tonë. Ka shumë vite që kam punuar në arsim, por nuk kam punuar për këto institucione arsimore që i kemi sot, kjo edhe është arsyeja që ju bëjë thirrje të dilni në zgjedhje dhe të votoni Ramush Haradinaj për kryeministër”, ka thënë kandidatja nga radhët e LDD-së Drita Maliqi-Zunce.
“Dega e parë e AAK-së në nivel të Kosovës është themeluar në Gjilan dhe pikërisht këtu në të njëjtin vend ku qëndrojmë sot”, ka thënë Ahmet Isufi. Isufi ka thënë se kemi arritur t`i qëndrojmë ballë sfidave dhe trysnisë që e kemi pasur vazhdimisht nga dy partitë tjera në pozitë dhe gjithmonë kemi dëshmuar luftë të drejtë për pushtet dhe zhvillim të vendit.
“Është koha që më 8 qershor të marrim një vendim që do ta shoqërojë përgjatë 4 vjetëve të ardhshme, t`i themi stop qeverisjes me korrupsion, krim, që nuk e dijnë ku e kanë fundin dhe që nuk arrijnë asnjëherë t`i qojnë deri në fund mandatet e tyre. Ashtu siç e kemi fituar besimin për të krijuar liri, ju bëjë thirrje ta fitojmë besimin me zhvillu vendin tonë”, ka thënë më tej Isufi.
Ndërkaq Rexhep Kadriu, ka thënë se rruga e Aleancës ka nis qysh para 15 vjetëve dhe ka qenë e gjatë dhe me sfida.
“Është koha t`i bashkojmë forcat dhe më 8 qershor të dalim fitimtar, sepse të gjithë ne e kujtojmë 100 ditëshin e qeverisjes së Haradinaj, një 100 ditësh me energji elektrike, pa korrupsion, pa dembeli, por me punë dhe dëshirë për ta quar vendin tonë përpara. Ky popull e donë një grusht të fortë që do ta udhëheqë dhe qoj në një rrugë të sigurtë Kosovën, e ky grusht i fortë është vetëm kryeministri Ramush Haradinaj”, ka thënë Kadriu.
Ky tubim i AAK-së në Gjilan, është vazhdë e tubimeve që ky subjekt politik po i mbanë me nëndegët e saj në kuadër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet nacionale 2014. /rajonipress/