AAK përkujton Selami Osmanin – Bezin

Gjilan – Në shenjë respekti dhe nderi të veprës së Selami Osmani – Bezi, kryetari i AAK-së në Gjilan Rexhep Kadriu, të enjten ka organizuar ekspozitë në Teatrin e Gjilanit. Kjo ekspozitë me foto personale të Selami Osmani – Bezi, është organizuar me rastin e njëvjetorit të vdekjes së tij, në shenjë përkujtimi të kontributit të humanistit, i cili i dha identitet Gjilanit duke e ndihmuar në të gjitha fushat, e në veçanti në atë të sportit gjilanas.
“Selami Osmani-Bezi, ishte njeriu i cili në të gjitha proceset para luftës, gjatë luftës dhe pas saj, kontribuoi me shpirtin e tij humanitar për familjet e varfra, për çdo iniciativë që ndërlidhej kundër pushtuesit serb në Gjilan, për rritjen e punësimit në biznesin e tij, për ndihmë Ushtrisë Clirimtare të Kosovës dhe pas luftës për ndihmë në zhvillimin e jetës së re”, ka thënë kryetari Kadriu në fjalimin e tij të mbajtur në galerinë ku është hapur ekspozita.
Ai më tej ka shtuar duke thënë se kontributi i tij ka qenë i jashtëzakonshëm sepse arriti të dallohej në mesin e afaristëve, humanistëve dhe sportdashësve duke e kthyer klubin futbollistik “Drita”, në një ekip që do ta nderojë Gjilanin duke e bërë disa herë kampion të Kosovës dhe fituese të Kupës së Kosovës.
Një fjalë rasti kanë mbajtur edhe kryetari Haradinaj si dhe nënkryetari Isufi, të cilët thanë se e vlerësojnë dhe çmojnë kontributin e Bezit si dhe të gjitha ato të mira që ai ka bërë për qytetin tonë.
Bezi Osmani, vajza e Selami Osmanit – Bezit, falënderoi të gjithë për kontributin e dhënë në organizimin e ekspozitës, ndërsa tha se ndihet krenare që është vajza e një njeriu me një shpirt kaq të madh./rajonipress/