AAK nuk e harron as sportin, shpërblen më të mirët e turnirit

Gjilan – Të mërkurën ka përfunduar turniri i organizuar nga dega e AAK-së në Gjilan, për nder të përvjetorit të 13-të të AAK-së.
Turniri, i cili ka nisur më 12 maj dhe në të cilin kanë marrë pjesë gjithsej 20 ekipe, ka përfunduar dje, në sallën e sporteve “Bashkim Selishta”.
Loja e zhvilluar në mes të ekipeve finaliste “Toni&Goni” dhe “Vëllezërit Aliu”, ka përfunduar me rezultat 3 me 1, për ekipin “Toni&Goni”. Golashënuesit e kësaj ndeshje ishin Egzon Hasani dhe Arbër Sylejmani, të cilët shënuan për ekipin fitues Toni&GONI”, ndërsa golashënuesi i vetëm i ekipit “Vëllezërit Aliu” ishte Sokol Mehmeti.
Në fund të ndeshjes janë ndarë edhe çmimet për dy vendet e para dhe për golashënuesin më të mirë, ndërsa janë dhënë edhe mirënjohje në shenjë falënderimi për kontributet e dhëna për organizimin e këtij turniri.
Çmimin prej 200 euro për vendin e parë “Toni&Goni” e ka ndarë kryetari i AAK-së në Gjilan Rexhep Kadriu, ndërsa çmimin prej 100 euro për vendin e dytë e ka ndarë Ahmet Isufi.
Çmimi i golashënuesit më të mirë i është dhënë Arbër Marofcit, i cili ka shënuar pesë gola gjatë turnirit, kurse ai i portierit më të mirë i është ndarë Besart Ahmetit.
Mirënjohje janë ndarë edhe për ekipin më fair-play, “Viva la”, për referët Adem Kryeziu dhe Ahmet Qehaja si dhe ARK-së për organizimin e turnirit.
Gjithashtu, mirënjohje i është ndarë edhe fabrikës së betonit “Pro Eng” për sponzorizimin e turnirit dhe kompanisë “Silca Group” për ndihmë në sponzorizim./rajonipress/