AAK, kurrë në koalicion me PDK-në dhe LDK-në

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e sheh të pamundur hyrjen në koalicion me ndonjërën nga partitë qeverisëse, PDK dhe LDK.
Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Anton Berisha, në një prononcim për “Indeksonline” është shprehur se për AAK-në opsioni i vetëm është që qeveria aktuale të largohet dhe në zgjedhjet e ardhshme të krijohet një legjitimitet i ri.
“Mendoj se një gjë e tillë është e pamundur. Ne nuk kemi kurrfarë plani të hyrjes në koalicion as me PDK-në, as me LDK-në. Ne e kemi bërë të ditur se Kosova është duke ecur mbrapa dhe kemi kërkuar që në afatin më të shpejtë të zhbllokohet situata dhe zgjedhjet e reja duhet të japin një legjitimitet të ri”, ka thënë ai.
Berisha ka komentuar deklaratat e fundit të zyrtarëve të PDK-së dhe LDK-së, të cilët kanë nisur përplasjet se cila parti do të dalë fitimtare në zgjedhjet e ardhshme. E, sipas tij, kjo është një fakt që qeveria aktuale e pranon që institucionet që ata i udhëheqin, nuk funksionojnë dhe se ata janë përgjegjës për këtë.
“Deklaratat që dëgjohen tash prej PDK-së dhe LDK-së kinse sulmojnë njëra-tjetrën, po shihet që ata veç e kanë filluar fushatën parazgjedhore. Prej të dy palëve kjo është një papërgjegjshmëri totale e tyre, sepse detyra e tyre është që të punojnë në kuadër të institucioneve. Ata janë partner në qeveri dhe po e sulmojnë njëri-tjetrin. Këta vetvetiu po thonë që institucionet nuk janë duke funksionuar. Këto deklarata se partnerët e qeverisë sulmojnë njëri tjetrin, është tregues i papërgjegjshmërisë totale, sepse po thonë se institucionet që ata i udhëheqin, janë institucione jo kredibile”, është shprehur ai.
Berisha ka shtuar se Kosova është në pikën më të ulët të saj, si pasojë e qeverisë aktuale të udhëhequr nga koalicioni PDK-LDK, kurse kjo do të ndryshonte vetëm me largimin e kësaj qeverie./Indeksonline/