AAK, jashtëligjshëm në shërbim të shtetit dhe qytetarit

Gjilan – Komuna e Gjilanit, reagon ndaj hapjes së fushatës së parakohshme të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Gjilan. Fushata zgjedhore me ligjet e Kosovës nis 30 ditë para datës së mbajtjes së zgjedhjeve e jo dy muaj më herët siç e nisi në Gjilan z. Rexhep Kadriu i AAK-së mbrëmjen e së martës, më 27 gusht, duke shpërndarë fletushka nëpër qytet pa kursyer as veturat.
Ne si institucione lokale të udhëhequra nga subjekti politik më i madhi në Komunën e Gjilanit, pra PDK dhe koalicioni, reagojmë ashpër ndaj këtij veprim joligjor, jodemokratik dhe me tendencë thuhet në reagimin e zyrës për informim të Komunës së Gjilanit.
Për kampanjat elektorale janë ligjet dhe aktet tjera normative që e përcaktojnë mënyrën, kohën etj, të cilat në rastin tonë i kanë mbështetur të gjitha subjektet politike e edhe partia e zotit Kadriu në nivelin qendror. Por nëse kjo nuk respektohet atëherë cila është arsyeja e garës zyrtare elektorale.
Të vetëdijshëm se ky është një entuziazëm dhe dëshirë e madhe për pushtet, i AAK-së dhe kandidatit të saj zotit Kadriu, por rastin do ta kenë të gjithë për ta dëshmuar veten para zgjedhësve të tyre në kohën kur është e caktuar nga KQZ. Dhe vetëm atëherë, Kadriu dhe të tjerët le t’i ofroj produktet para mbështetësve të tyre.
Fundja, qytetarët janë ata që do ta vlerësojnë punën dhe sjelljen e secilit prej nesh, çoftë edhe si subjekt politik, se cili e meriton besimin e tyre edhe këtë mandat. Qeverisja komunale e udhëhequr nga Partia Demokratike e Kosovës me partnerët qeverisës ka treguar se është e përkushtuar dhe e dinjitetshme karshi interesave të qytetarëve dhe ia kemi dalë që të jemi në agjendë të plotë të mirëbesimit në realizimin e interesave të qytetarëve të Komunës sonë.
Veprimet e AAK-së në nivelin lokal të Komunës së Gjilanit, do të duhej t’i shoh me kujdes e qetësi edhe Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në Gjilan, por edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sepse nuk ka arsye që një subjekt politik (AAK) të filloj garën tani dhe të tjerat të presin afatin ligjor të fushatës zgjedhore thuhet në reagimin e zyrës së informimit./rajonipress/