AAK-ja mund të largohet përfundimisht nga legjislatura e tanishme e Kuvendit

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka gjasa që të distancohet përfundimisht nga Kuvendi i Kosovës. Këtë e ka bërë të ditur për Gazetën Blic, anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Muharrem Nitaj.

Ai ka thënë se AAK-ja është duke shikuar që të largohet nga Kuvendi i Kosovës, pasi siç ai është shprehur, deputetëve nuk po u lejohet që të punojnë ashtu si duhet.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, është duke e shqyrtuar seriozisht mundësinë që të kalohet në një fazë tjetër të kundërshtimit. Në këtë kuadër, po ashtu është duke e shqyrtuar seriozisht mundësinë që të distancohet nga kjo legjislaturë e Kuvendit të Kosovës, për shkak të pamundësisë që deputetët tanë ta kryejnë mandatin e tyre në përputhje me kushtetutën”, ka deklaruar Nitaj për Gazetën Blic.

E kjo sipas tij, vjen edhe pas situatës e cila u paraqit në Kuvend në ditën kur u zgjodh presidenti i ri i Kosovës.

“Nuk besojmë se pas skenave në Kuvend, në ditën e votimit të presidentit, ka mbetur shumë hapësirë për të qenë pjesë e këtij Kuvendi”, ka shtuar Nitaj.

KKGJILAN

Përkundër mendimit për t’u distancuar nga Kuvendi, ai ka theksuar se AAK-ja do të vazhdojë të jetë kundër qeverisë aktuale, derisa ajo ta kuptojë se rruga e vetme për të ardhur te një zgjidhje, janë zgjedhjet e parakohshme.

“Ne edhe si parti por edhe si opozitë jemi pozicionuar kundër kësaj qeverisjeje antikushtetuese. Kjo nuk është kurrfarë fshehtësie dhe këtë qeveri do ta kundërshtojmë deri sa ajo të mos bindet se dalja nga kriza aktuale politike, është shpallja e zgjedhjeve të parakohshme. Në këtë kundërshtim nuk do të ndalemi, deri në arritjen e synimit që janë zgjedhjet”, ka thënë zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ndryshe, më 8 shtator të këtij viti, dorëheqje nga mandati i deputetit të Kuvendit të Kosovës pati dhënë edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Ndërsa, sa i takon seancës së radhës, pritet të mbahet më 10 mars (këtë të enjte). Me këtë rast, dy partitë e tjera opozitare VV dhe NISMA, kanë thënë për Gazetën Blic se opozita nuk do të tërhiqet dhe se seanca nuk do të ketë mundësi të zhvillohet në mënyrë normale.