Eko Higjiena

AAK bëri keq

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Behgjet Pacolli po e sheh si veprim të keq largimin e AAK’së nga Forumi i liderëve për reformë zgjedhore dhe atë kushtetuese. Ai ka kërkuar nga Ramush Haradinaj të mos bojkotojë reformën, por të jetë pjesë e përfundimit të saj. Lideri i AKR’së po pret që pas përfundimit të kësaj çështje të largohet edhe Atifete Jahjaga nga posti i Presidentes.

Lideri i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli e ka cilësuar si veprim të keq largimin e AAK’së nga reforma zgjedhore dhe ajo kushtetuese.

Ai ka thënë se me bojkote nuk shkohet përpara dhe i ka bërë thirrje Ramush Haradinajt të rikthehet dhe të mbështes përfundimin e reformave.

Sipas tij, nëse AAK do të qëndronte në takim atëherë reformat do të shkonin një hap përpara.

“Me bojkote s’shkohet përpara. Po të ishte AAK aty, do të shkonim edhe një hap përpara.

Partitë tjera që ishin aty kanë qenë shumë bashkëpunuese.”, ka thënë Pacolli, në një prononcim për Gazetën Express.

“Partitë tjera kanë qenë bashkëpunuese. Keq që AAK nuk mbeti aty. Nuk di arsyet pse e kanë lëshuar takimin, por do të kishte qenë e drejtë të ishin edhe ata. Në këtë mënyrë reformat kanë dalë nga Parlamenti dhe nuk di çka lypin në Parlament pa një rezultat të partive politike”, ka shtuar Pacolli.

Zëvendëskryeministri i Parë ka qenë mikpritës i takimit të fundit të liderëve të partive politike. Aty, AAK’ja ishte prezantuar nga Këshilltari i Haradinajt, Avni Arifi, i cili nuk ka qëndruar deri në fund të takim me arsyetimin se asgjë nuk po bëhet në këto takime përveç se po humbet kohë.

Por, Pacolli thotë se pikërisht në takimin e fundit janë arritur disa përparime sa i përket propozimeve për zgjedhjen e Presidentit, zonat zgjedhore, mandatet e deputetëve.

Uji Dea

“Për herë të parë kemi shkuar shumë përpara. Deri më tash s’kemi pasur ndonjë përparim. Jemi shumë afër përkryerjes së reformave”, ka shtuar ai.

“Do të ishte mirë që edhe AAK të bashkëpunoj për të përfunduar reformën zgjedhore dhe atë kushtetuese”,

Pacolli ka thënë se nuk mund të thotë nëse AAK ka bërë ndonjë kalkulim politik siç kishte konstatuar zyrtarët e LDK’së.

Lideri i AKR’së ka thënë po ashtu se pret që pas përfundimit të reformës zgjedhore të largohet Atifete Jahjaga nga posti i Presidentes.

Pacolli, që kishte dal humbësi më i madh i marrëveshjes së prillit të vitit 2011 mes PDK’së, LDK’së dhe AKR’së, po pret që ajo të zbatohet edhe nga Jahjaga.

“Ajo marrëveshje është nënshkruar dhe se implementimi i saj është i vonuar. Ajo marrëveshje ashtu siç e shoh disponimin e partive politike po shkon drejt zbatimit qind për qind”, ka shtuar ai.

Sipas tij, zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare do të përcaktohen në momentin që partitë të pajtohen dhe t’i votojnë reformat në Kuvend.

“Kur të ndodhin reformat, Presidentja në mënyrë të vullnetshme do të tërhiqet në mënyrë që gjashtë muaj pas përfundimit të reformave, ajo do të lëshoj vendin Presidentit të ri dhe do të krijoj mundësinë të shkohet në zgjedhje presidenciale”, ka shtuar ai.(express)