UBT

A të dobëson vërtet duhanpirja?

/ 4 minuta lexim

Reklama duhanpirje-pakësim peshe ka qenë gjithnjë një armë e fortë në duart e industrisë së duhanit, teksa kërkimet provojnë se kjo frikë ekziston te duhanpirësit. Duhanpirësit i druhen lënies së cigares ngaqë mund të shtojnë peshë.

Frika e shtimit në peshë po ndalon shumë duhanpirës të heqin dorë, këshillon një studim i ri. Shumë prej atyre që janë të pandashëm nga duhani, i shmangin trajtimet që do t’i ndihmonin të linin duhanin, sepse kanë përjetuar eksperienca të humbjes së peshës më parë në të njëjtën situatë.

Në vitet e para të lënies së duhanit, mesatarisht personat kanë shtuar 6.3 kg. Si rezultat, disa duhanpirës pranojnë se vazhdojnë të konsumojnë duhan vetëm, sepse shmangin kështu shtimin e peshës.

Kërkuesit e Kolegjit Shtetëror të Mjekësisë në Pensilvani anketuan 186 duhanpirës që kërkonin ndihmë për të lënë duhanin dhe 102 të tjerë që i shmangeshin trajtimit mjekësor.

Duhanpirësit përcaktoheshin si në kërkim të ndihmës, nëse merrnin pjesë në një trajtim që kërkonte t’i jepte fund konsumit të duhanit. Ata që nuk ishin të interesuar për të marrë pjesë në këto seanca, u përcaktuan si të painteresuar për të marrë trajtim.

Pjesëmarrësit ishin duhanpirës në momentin e studimit dhe konsumonin të paktën pesë cigare në ditë. Të gjithë ata u pyetën për shtim në peshë gjatë përpjekjeve të fundit për ta lënë duhanin dhe për shqetësimin që kishin për kilogramët që do shtonin nëse do ta linin duhanin në të ardhmen.

Në përgjithësi, duhanpirësit që kërkonin ndihmë për ta lënë vesin ishin njësoj të shqetësuar për shtimin në peshë sa duhanpirësit që nuk kërkonin ndihmë. Ndryshimi qëndronte në faktin nëse duhanpirësit kishin shtuar apo jo peshë më parë.

Nga të gjithë pjesëmarrësit në studim, 53 për qind kishin shtuar në peshë gjatë një përpjekjeje të mëparshme për ta lënë duhanin. Brenda këtij grupi, duhanpirësit që ishin shumë të shqetësuar për peshën kishin më tepër gjasa t’i shmangeshin kërkesës për ndihmë.

Fidanishtja

“Ndoshta nuk duhet të jemi shumë të habitur që duhanpirësit që kanë shtuar në peshë më parë i tremben lënies së duhanit”, tha Suzana Vildir (Susan Veldheer), menaxhere e projektit në Departamentin e Shkencave Publike të Shëndetit.

Ata janë të shqetësuar të lënë duhanin edhe pse e dinë sesa përfitime shëndetësore do të kishin nga ky veprim. Kërkuesit sugjerojnë që ekspertët që merren me dhënien e ndihmës për duhanpirësit, t’i pyesin nëse kanë shtuar peshë më parë teksa kërkonin të linin vesin.

Të ndihmon vërtet duhani të dobësohesh?

Disa studime tregojnë se duhanpirësit peshojnë në përgjithësi më pak sesa ata që nuk pinë duhan. Studime të tjera tregojnë se nikotina përshpejton metabolizmin dhe largon urinë. Megjithatë, kostot shëndetësore të atyre që pinë duhan janë më të mëdha sesa përfitimet që vijnë prej konsumit të tij.

Teksa reklama duhan-rënie në peshë u drejtohet kryesisht femrave, kërkimet kanë treguar se femrat në moshë të re, janë veçanërisht në rrezik për përdorimin e duhanit me qëllim që të humbin në peshë.

Më shumë studime duhet të përqendrohen në trendet e gjinisë dhe etnisë që shqetësojnë adoleshentët dhe që lidhen me duhanpirjen. Për më tepër, kompanitë e mëdha të duhanit, kanë filluar të shënjestrojnë edhe komunitetin gej për këto efekte pozitive të cigareve.

Përtej kësaj, arsyet përse secili person zgjedh të konsumojë duhan janë komplekse dhe nuk mund të thuhet se i atribuohen dëshirës për t’u dobësuar.