A punoi kush për atdhe?
Nga Imer Mushkolaj – Ish-të burgosur, ish-luftëtarë, mësimdhënës e veprimtarë po shpërblehen për aktivitetet e tyre gjatë viteve ’90. A punoi kush gratis për ndonjë ideal, për atdhe, a veç për përfitime? A punoi kush sinqerisht për këtë vend?
Shaban Sfishta nga Podujeva, i cili vdiq muajin e kaluar, ka punuar gati 18 vjet pa asnjë qindarkë. Gjatë viteve të vështira ’90, por edhe pas luftës, ai nuk pranoi të paguhet për punën prej arsimtari të kimisë dhe pagat e tij ia la buxhetit të Kosovës. Më tepër se altruizëm, ajo që bëri Sfishta është sakrificë. Madje, më e madhe se e shumë të tjerëve që shfaqen patriotë shkuar patriotësh, teksa flasin për të kaluarën e tyre.
Ish-të burgosurit politikë paguhen majmë për çdo ditë të kaluar në burgjet e ish-Jugosllavisë. Në libra të shkruara më pas, por edhe në paraqitje publike, flasin për kontributin që kanë dhënë për Kosovën, rrëfejnë për ditët e kaluara në burg dhe thonë se ishtë një sakrificë e paparë. Por, kur vjen puna t’i marrin paratë për kohën e kaluar në burg, asnjëri nga ta nuk del të heq dorë dhe të thotë se nuk ka sakrifikuar për para, por për ideal.
Ish-pjesëtarë të UÇK’së dhe të tjerë që duan të jenë të tillë po thyejnë kokën që të futen në lista veteranësh për të përfituar privilegje. Ndër ta edhe këngëtarë që fitojnë mijëra euro në muaj, duke thënë se kanë kënduar gjatë kohës së luftës dhe e kanë mbajtur lart moralin. Por asnjë, ama asnjë nuk del të thotë se po heq dorë nga përfitimet, sepse paska luftuar e kënduar për ideal, e jo për përfitime të mëvonshme.
Të tjerë në emër të luftës u bënë milionerë, duke keqpërdorur kapitalin prej ish-ushtarësh kombinuar me arrogancën e të fortëve, ndërkohë që shokë të tyre në institucione kontrollojnë gjithçka dhe bëjnë çfarë të duan. Natyrisht, edhe për detyrat më të vogla që kryejnë, e që i kanë obligim, pos pagave marrin edhe mëditje.
Edhe kolegë të Shaban Sfishtës presin të shpërblehen për kontributin gjatë viteve ’90, bashkë me pronarët e shtëpive shkolla – pavarësisht se gjithçka thoshin të ishte një sakrificë që po e bënin për një ideal.
* * *
Është normale që kategori të caktuara të shpërblehen për diçka që kanë bërë në të mirë të vendit dhe shoqërisë në të kaluarën. Ama, me logjikën që po mbretëron aktualisht, financiarisht duhet shpërblyer të gjithë qytetarët, të cilët në një mënyrë a tjetër kanë kontribuar për ditë më të mira.
Ta zëmë, pse nuk do të duhej shpërblyer financiarisht ata që në fillimvitet ’90 organizuan aksionin madhështor të faljes së gjaqeve dhe ata që ndihmuan në çfarëdo forme atë aksion? Pse nuk duhet shpërblyer ata që në kushte të jashtëzakonshme mbajtën gjallë edhe jetën kulturore, informimin? Pse nuk duhet shpërblyer ata që ndihmuan demonstruesit e më pas luftëtarët e UÇK’së duke u ofruar strehim e ndihmë? Të gjithë, ama të gjithë kanë qenë të mobilizuar dhe janë përpjekur ta sfidojnë okupimin. Të gjithë kanë sakrifikuar diçka – për një ideal. Për pavarësi, për shtet. Tash, shteti duhet që të sigurojë mirëqenie për të gjithë, e jo të përpiqet që të rehatojë kategori të caktuara të shoqërisë, duke diskriminuar të tjera. Kjo është e padrejtë.
Ose, si të veprohet me bashkatdhetarët që kanë dhënë miliona e miliona marka gjatë një dekade? A duhet që secili nga ta të përfitojë shpërblim nga shteti i Kosovës? Apo, “shpërblim” të vetëm duhet ta kenë injorimin dhe plaçkitjen në kufi? Plaçkitjen nga shteti për të cilin dhanë aq shumë, e që po bën për ta kaq pak.
* * *
Të sakrifikosh për një ideal është gjë sublime. Por, të kërkosh pastaj të shpërblehesh për atë që ke bërë, edhe pse ngjashëm si ti kanë vepruar të gjithë, në mënyrën e vet, nuk është fort e ndershme.
Sepse, ata që kanë vuajtur në burg me siguri nuk e kanë pasur ndërmend se kur të dalin do të fitojnë para. As ata që kanë luftuar, protestuar, ligjëruar, lëshuar shtëpitë për shkolla. As ata që nuk kanë kursyer para për të ndihmuar shtetin e improvizuar të asaj kohe. Të gjithë kanë dhënë kontribut pa iu ardhur ndërmend përfitimet, privilegjet. Ngase qëllimi ka qenë fisnik: çlirimi nga regjimi i Milosevicit. Liria.
Nuk po them se të gjithë do të duhej të ishin Shaban Sfishta dhe të ndiqnin shembullin e tij. Por të paktën të mos shesin moral, duke thënë se kanë bërë gjithçka për vendin, por nuk i kanë marrë asgjë. Sepse, ashtu e komprometojnë veten dhe kauzën për të cilën janë angazhuar.
Paratë nuk mund të blejnë gjithçka, e nuk do të duhej blerë as sakrificën e tyre. Përndryshe, pyetja legjitime që do të duhej shtruar është: a punoi kush gratis për ndonjë ideal, për atdhe, a veç për përfitime? A punoi kush sinqerisht, pa hile, për këtë vend?


