A po rrezikohemi nga “lufta” civile?

Kriza politike do të thellohet, nëse nuk shkohet në zgjedhje të reja.
Krasniqi: Kjo Qeveri duhet urgjentisht të japë dorëheqje, sepse e ka shkelur rëndë Kushtetutën dhe interesat e vendit
“Zgjedhje mund të mos ketë, por grumbullimi i dështimeve dhe problemeve të Qeverisë, krahas arrogancës dhe konfrontimit me opozitën, mund ta ashpërsojnë situatën deri në përmasat e mundshme të një “lufte” civile. Pushtetin real dhe faktik e ka parapolitika e kriminalizuar dhe grupet e krimit. Zgjidhja gjendet te kërkimi i menjëhershëm i llogarisë nga Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi për tradhtinë e nivelit të lartë dhe mashtrimin kundërkushtetues me “Zajednicën” e Serbisë në Kosovë”, shprehet analisti Isa Mulaj
Vazhdimi i ashpërsimit të raporteve mes pozitës dhe opozitës, pas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, interpretim të cilin po e përvetësojnë në mënyra të ndryshme pozita dhe opozita.
Opozita duke kërkuar me ngulm largimin e Qeverisë dhe zgjedhje të reja me çdo kusht e me çdo çmim, dhe kryeministri Isa Mustafa që po e provokon opozitën, duke thënë se nuk ka as tërheqje nga marrëveshjet, as referendum dhe zgjedhje të reja deri në vitin 2018, në vend se të ofrojë dialog për një Qeveri teknike dhe përgatitjen e zgjedhjeve të reja, sipas analistëve politikë po cilësohet si një situatë e rrezikshme e nxitjes së mundshme edhe të një lufte civile nga vetë kryeministri Mustafa me këto deklarata të papërgjegjshme.
Madje, edhe në fillim të këtij viti të ri kalendarik 2016, sipas pritjeve të politikës zyrtare, por edhe analistëve të skenës politike, pritet të kemi thellim akoma më të madh të krizës politike. Këtë zhvillim e imponon në një mënyrë edhe vendimi i Kushtetueses për Asociacionin me dykuptimësinë e tij fare të panevojshme dhe të dëmshme, që vetëm mund ta thellojë krizën politike, e cila nuk ka një zgjidhje tjetër, përveçse dorëheqja e Qeverisë aktuale, duke zgjedhur një Qeveri teknike të përkohshme, e cila vendin do ta dërgonte në zgjedhje të reja të parakohshme brenda 6 ose 9 muajve, deri në një vit. Mirëpo, e tëra kjo do të mund të arrihej vetëm me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, ngase politikanët kosovarë nuk po gjejnë kurajë të uljes së përbashkët për të biseduar në tejkalimin e situatës dhe vetëm atyre ndërkombë- tarëve do të mund t’u binden./kosova sot/