A po i ik Kosovës talenti i madh i futbollit?
Talenti i madh i futbollit me prejardhje nga Raushiqi i Pejës, Bleron Mulliqi, me hapa të sigurt po ec në karrierën e tij futbollistike duke paralajmëruar se shumë shpejt do të bën emër në futbollin Evropian.
Mulliqi i lindur në shtator të vitit 2002, i cili jeton në Geneva të Zvicrës, karrierën e filloi në klubin e Francës, FC- Thonon Evian, dhe me talentin e tij të cilin e posedon ka bërë që shumë skuadra të interesohen për të.
Mulliqi i cili është një futbollist korpulent me gjatësinë e tij 1,93 cm, i cili kontributin e tij në fushë mundet të jap në pozitën mesfushorë-qendërsulmues, ka nënshkruar kontratë me skuadrën Servette, skuadër e cila është 17 herë kampione dhe 7 herë fituese e Kupës së shtetit Helvetik të Zvicrës.
Majtaku Bleron Mullliqi, kontributin e tij të futbollistit është duke e dhënë tek skuadra e Servettit në U21.
“Jam shumë mirë tek kjo skuadër por pandemia na ka penguar shumë, skuadra e Servettit është një skuadër e madhe në futbollin e Zvicrës, tani jam me U21 por shpresoj se në fillim të kampionatit të vitit të ardhshëm në shtator të jem pjesë e skuadrës së parë të Servettit”, thekson 18 vjeqari Mulliqi.
Edhe Përzgjedhësi i Kosovës U-19, Ramiz Krasniqi, e kishte ftuar në këtë vit që të jetë pjesë e Kosovës por pandemia një gjë të tillë ja ka mohuar.
“I jam falënderues trajnerit Ramiz Krasniqit i cili ka pasur besim në mua, isha në disa kampe të Përfaqësueses së Kosovës por pandemia gjithçka ka shkatërruar dhe për këtë jam shumë i mërzitur”.
Futbollisti Mullliqi shpreson se trajneri i Përfaqësueses së Kosovës U-21 në vitin e ri do ta fton në Përfaqësuesen e Kosovës.
“Unë kam gjak shqiptari, prindërit i kam nga Peja, dëshira ime është që ta veshi fanellën e shtetit të Kosovës dhe të kontribuoj në fushë për rezultate kulminante të shtetit të Kosovës, nëse nuk kam ftesë nga njerëzit që vendosin për futbollin e Kosovës atëherë pa dëshirën time me shumë zhgënjim do ti bashkohem shtetit të Zvicrës”.
Futbollisti Bleron Mulliqi shquhet me goditje të fuqishme me pasime tejet të sakta.
Njerëzit në Federatën e futbollit të Kosovës, së bashku me trajnerët e saj duhet në mënyrë urgjente që talentët siç është Bleron Mulliqi mos t`i ikin futbollit të Kosovës./rajonipress/


