KKVITI

(A) po fillohet vërtet të punohet në rrugën e Kumanovës?!

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Jo më larg se të enjtën, në Rrugën e Kumanovës, që është bërë “bajat” të flitet e të shkruhet, u vërejtën në rrugë disa punëtorë të Kompanisë “Tali”, e cila kompani, si kanë shtuar zyrtarët komunalë, është fituese e tenderit për ta rregulluar rrugën në fjalë me asfalt. U befasova si qytetar i kësaj lagjeje kur i vërejta duke matur rrugën në fjalë, të cilëve ju thash një fjalë të ngrohtë e nga zemra: “Ju lumtë, o burra!” Pse jo?

Kur e ndala makinën, mendova se janë të KECIT (të rrymës), sepse në rrugën tonë, aty te marketi “Bici”, qe dy muaj e më tepër, nuk ndriçojnë disa poça të ndriçimit publik. Nuk doli puna ashtu si e mendova. Punëtorët e kompanisë në fjalë matnin me ato mjete të tyre gjatësinë e rrugës gjer sa duhet të rregullohet (asfaltohet), ku në dy anët e saj ngulnin disa huj (kunxhi) të drurit.

Na erdhi fort mirë kjo punë. Nga gëzimi, punëtorëve ua bëra një pyetje: “Kur po mendoni të kryhet kjo rrugë, se, për ne të kësaj lagjeje, ka qenë një kancer i keq dhe i përditshëm? Ata na u përgjigjen aty për aty se, tash do të vijnë makinat dhe do t’ia nisim punëve të hajrit. ”Po, po, do ta rregullojmë këtë rrugë që quhet e “Kumanovës”, por i kemi edhe 9 të tjera anësore që lidhen me këtë rrugë. Do të bëhet asfaltimi gjer tek rruga e asfaltuar, ku lidhet kjo anë e qytetit. Besoj, do të bëhet mirë, tha njëri nga punëtorët e kompanisë në fjalë”.

Eco Higjiena

Sot, një ditë pas, askush nuk u duk më në rrugën në fjalë. Aty duken vetëm kungjit që janë ngulur anash, e të cilët janë dëshmitarë të kësaj “ngjarje” të pritur të banorëve të kësaj lagjeje. U larguam e drejt në shtëpi, por mendja na rrinte tek rruga se, këta që ia filluan rrugës, a do ta mbarojnë asfaltimin apo vetëm u dukën dy a tri orë në rrugë për t’i parë banorët e qytetit se po punohet diçka!

Qytetarë, kaloi vera, po afrohet dimri. Andaj, sa ia fillojnë punët, koha i ndalë. Inshalla këto punë nisin me hajr, por hajri duhet të qohet në vend. Inshalla ia dalin punës në fund dhe, banorëve të kësaj ane të qytetit, do ta kthejnë fytyrën kah qyteti me rrugën e rregulluar, e cila, gjer dje ishte një shëmti e krejt qytetit, Gjilanit. Unë votoj për punët e hajrit. Ju, që i keni marrë punët e kësaj rruge, mos bëni hile. Na sikur dimë t’ju urojmë për punë të mbarë, do të dimë edhe të reagojmë. Thonë, kurrë nëna nuk e merr fëmijën pa qajtur! Duam, si një, ta shohim qytetin tonë, Gjilanin si qytet i qytetërimit perëndimor. Nëse punohet, urime dhe gëzuar, qytetarë rrugën e filluar të “Kumanovës”!/tefik selimi/rajonipress/