Hidromorava

A po e neutralizon Thaçi opozitarizmin e AAK-së?

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Takimi i zhvilluar të dielën në mes kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, dhe të parit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hashim Thaçi, është një tjetër tentim i kryeministrit Thaçi që ta neutralizojë një parti opozitare, kanë theksuar analistët politikë për Telegrafin.

Belul Beqaj vlerëson se në Kosovë nuk ka pasur opozitë të mirëfilltë, “përndryshe Kosova nuk do të ishte në këtë gjendje të mjerë”.

“Mjerisht, AAK me sjelljet dhe deklarimet e liderit po bënë përpjekje sizifiane që të bëhet pjesë e bashkëveprimit në pushtetet e ardhshme, si patericë e PDK-së”, ka theksuar Beqaj.

Ndërsa, analisti Ardian Arifaj ka deklaruar se takimi në mes liderit të PDK-së, Hashim Thaçi, dhe atij të AAK-së, Ramush Haradinaj – në kohën kur zgjedhjet lokale janë në prag – mund të interpretohet në mënyra të ndryshme.

“Të gjitha interpretimet mbesin vetëm në nivelin e spekulimeve”, tha ai për Telegrafin, duke shtuar se nuk përjashtohet mundësia që ky takim të jetë skenar i Thaçit për ta minimizuar rolin e opozitës në Kuvendin e Kosovës.

Hidromorava

“Faktet flasin se prej kthimit të Haradinajt në Kosovë, kanë qarkulluar fjalët se AAK-ja mund të bëhet pjesë e koalicionit me PDK-në”.

Në anën tjetër, analisti Shkëlzen Maliqi beson se takimi Thaçi-Haradinaj më shumë është i karakterit informues për proceset e fundit nëpër të cilat po kalon Kosova, veçanërisht zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, nuk përjashtohet që në takim të jetë biseduar edhe për kalkulimet eventuale politike, meqenëse zgjedhjet lokale janë shumë afër.

“Takimet e tilla janë tregues se partitë nuk janë në pozicionet statike në të cilat kanë qenë, por kanë filluar të jenë më fleksibile”, thotë Maliqi. “Nëse bashkëpunimet në mes partive nuk e kanë si qëllim primar përfitimin personal, por interesin e qytetarëve, atëherë këto bashkëpunime mund të jenë të dobishme për zhvillimin e Kosovës”. /B.D./Telegrafi/