A njihet hala demokracia në Kosovë?
Nga Gani Sadiku – Fjala e cila më së shumti përdoret në Kosovë është fjala më e panjohur e shqiptarëve, sepse demokracia në Kosovë është ende larg realitetit si një pushtet i shumicës.
Fjala demokraci rrjedhë nga fjala greke, Demos~popull dhe
Kratia – pushtet.
Marrë si tërësi dmth pushteti i popullit.
Por këtë unë do të thoja se është pushtet i numrave, kur shumica vendos me vota dhe merren vendime me të cilat duhet të jetojë populli. Por nuk do me thënë që për vendimet të cilat i merr shumica janë çdo herë të drejta, sikur që nuk do me thënë që pakica në institucionet përfaqësuese nuk kanë të drejtë për kundërshtimet e saj.
Mirëpo pushteti i numrave apo shumica, shpeshherë merr vendime të cilat mundë të jenë edhe të papërshtatshme për shoqërinë apo individin, por që duhet të respektohen sepse shumica e posedon aparatin shtetërorë i cili mundë ta përdorë edhe dhunën shtetnore për zbatimin e vendimeve të saj….. Gjatë historisë njihen raste të cilat kanë qenë “legjitime” për nga ligjësia dhe forma e vendimit.
Si shembull mundë t’i marrim dy figurat më të mëdha të njerëzimit, Sokrati dhe Jezu Krishti, me vendimet e shumicës të asaj kohe, është vendosur për ekzekutimin e tyre. I pari e piu kupën me helm, dhe i dyti u kryqëzua. Demokracia ka rregulla, dhe ligje, te cilave pa tjetër duhet tu nënshtrohen çdo individ, grupacione apo parti.
Në botën perëndimore, dhe në shoqëritë e zhvilluara, klasa politike apo shumica, është e detyruar ta respektojë vullnetin politik të grupacioneve, shoqatave dhe grupeve të bizneseve të organizuara, të cilat kanë ndikim në mbajtjen në pushtet të kësaj shumice. Por edhe shoqëria ka një vetëdije politike të ngritur dhe shpeshherë ndodhë që klasës politike t’ia imponojë vullnetin e saj politik. Kjo ndodhë sepse është në stadin e zhvillimit shoqërorë që dinë dhe munden t’i artikulojnë kërkesat karshi klasës politike në pushtet.
Ne jemi dëshmitarë kur në një vend të zhvilluar, klasa e cila vjen në pushtet, është e obliguar që t’i mbajë premtimet elektorale, pothuaj se tërësisht. Kjo ndodhë sepse shoqëria arrinë që moralin e vet politik, t’ia imponojë një klase të zgjedhur. Tek ne, edhe pse flasim për demokraci, asnjëherë nuk arrijmë që vullnetin tonë politik, t’ia imponojmë klasës politike e cila udhëheq me vendin, dhe si pasojë politikanët tanë nuk e çajnë kokën fort për premtimet që i japin dhe fare nuk mërziten për gënjeshtrat që i bëjnë. Kjo rrjedh, si pasojë e asaj që popullsia nuk është në gjendje as të kërkojë llogari, e as të ndëshkojë për gënjeshtrën./rajonipress/


