A mund të punojmë e të veprojmë si perëndimorët, cilët zyrtarë komunalë vijnë në punë me biçikleta…?!

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Duke kaluar qendrës së qytetit, Gjilanit, syri na shkoi tek disa biçikleta të parkuara para objektit të komunës së qytetit. Ishte një pamje për të mirë, sepse na shkoi mendja se, pronarët e këtyre biçikletave janë punëtorë të administratës së komunës. Ky është shembull për të mirë i këtyre punëtorëve të komunës, jo që nuk kanë makina tjera për të ardhur në punë, por kanë menduar se, gjer tek vendi i punës, ku punojnë e veprojnë, mund të vijnë e të kthehen në shtëpi pa pasur aq kosto e “telashe” të tjera.

Ju punëtorë, të cilëve nuk deshëm t’ua mësojmë emrat, që keni ardhur në punë me këto “makina” të thjeshta, por fort të nevojshme, nga ne e nga shumë kalimtarë të tjerë rasti, morët një notë të lartë kaluese. Ju themi plot gojë: Ju lumtë, o djema! Ma përkujtuat kohën kur u bëra vizitë fëmijëve, në Zvicër. Ishte kjo kohë para dy vjetësh, kur më rastisi puna të shëtis me djalin tim rrugëve të qytetit, Bazelit. Ai, pa një pa dy, më tha: “Babush, shih atë që po vozit me biçikletë, ai është kryetar i komunës së Bazelit. Ai çdo ditë vjen në punë me biçikletë. Kurrë nuk e sheh atë rrugëve me makina të shtrenjta.”

Disa minuta, gjer sa iku kryetari i Bazelit me biçikletë, u befasova dhe më shtyri të mendoj për popullin tim kosovar. Ja, këto biçikleta, që i vërejta nga afër para komunës, sikur qytetari ynë po vetëdijesohet. Ai po e sheh botën, njerëzit se si po veprojnë. Pra, të mirën e jetës, kanë filluar ta kopjojnë…

KKVITI

Gjilanas, kësaj here nuk mund të bëj ndonjë reagim për të keq, përkundrazi, ky është shembull më i mirë i juaji që po vini e po ktheheni nga puna me të këtilla biçikleta e motoçikleta. Po të isha aty ku punoni, juve ju kisha shpërblyer me ndonjë dhuratë. Pse jo?

Ju jeni shembulli më i mirë se si e respektoni punën dhe jetën e juaj. Aty u gjend Qemajl Selmani, punëtor i komunës, i cili u shpreh se, ky është shembull i mirë që duhet të veprojnë qytetarët tanë. “Ata që vijnë në punë me makina të shtrenjta, ata s’mund të jenë punëtorë të mirë e të dalluar. Atyre, në çdo kohë e moment, ju shkon mendja tek makina e tyre, e jo tek puna ku punojnë”.

Ju lumtë punëtorë, gjilanas! Ju jeni shembull që meritoni çdo lavdëratë!/tefik selimi/rajonipress/