A mund të ketë pasoja juridike për deputetët nëse nuk konstituohet kuvendi deri më 26 qershor? Flet Arben Gashi

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi nuk parasheh sanksione juridike për deputetët në rast se brenda 30 dite nuk respektohet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për konstituim të kuvendit.
Gashi në një prononcim për IndeksOnlinen thotë se nuk ka ndonjë pasojë juridike, sepse nuk ka fajtor kolektiv.
Kjo çështje, sipas tij, është komplekse.
“Zgjedhja është shumë e thjeshtë ose krijimi i shumicës nga ana e Vetëvendosjes ose kthimi në normalitetin e votimit sipas Rregullores dhe praktikës së deritashme me votim të hapur”, ka thënë Gashi.
Shefi i deputetëve të LDK-së në legjislaturën e kaluar ka thënë se problemi është që vendi po mbetet pa institucione dhe po rrezikohet edhe integriteti dhe besueshmëria institucionale, por mbi të gjithë partneriteti ndërkombëtar, sepse bota, sipas tij, po lëvizë me hapa të shpejtë.
Në fund, Gashi ka thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme janë gjithmonë një opsion.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në një prononcim për media, javën e kaluar ka thënë se shkelja e afatit për konstituimin e kuvendit sjell pasoja juridike.
“Nëse nuk ka konstituim shumë shpejt, planifikoj t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për sqarim lidhur me atë se çka ndodh pas 30-ditësh, sepse dua të sqarohet se cila është pasoja juridike e moskryerjes së detyrimit kushtetues të konstituimit të kuvendit brenda këtij afati”, kishte deklaruar Osmani.
Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin përkitazi me kërkesën e iniciuar nga AAK-së, më 26 qershor./IndeksOnline/