UBT

A kemi platformë?

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Përveç rezolutës së miratuar në Kuvend, pala kosovare nuk ka dhënë shenja se po përgatit ndonjë dokument për bisedime. Autoritetet serbe ndërkaq ende po e mbajnë sekrete ofertën e tyre, pasi nuk e kanë miratuar ende. Por, analistët vlerësojnë se në këtë proces të bisedimeve platforma ndërkombëtare do të jetë vendimtare.

Përveç miratimit të një rezolute në Kuvend, institucionet e Kosovës nuk kanë dhënë shenja se kanë ndonjë platformë specifike për bisedimet politike, që pritet të vazhdojnë me Serbinë.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi para pak ditësh kishte deklaruar se pala kosovare ka diçka të shkruar në formë platforme, që bazohet në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Por, deri më tash askush nuk ka folur për asnjë detaj të atij dokumenti.

Analisti politik Ardian Arifaj konsideron se duhet të ketë një platformë për bisedime, pasi rezoluta nuk mjafton. Por, ai thotë se në fund ndërkombëtarët do të vendosin, si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë, se çfarë temash do të bisedohen dhe ku do të arrihet me këto takime.

“Edhe Serbia, edhe Kosova janë duke pritur faktorin ndërkombëtar, faktikisht Sekretaren Clinton dhe Baroneshën Ashton, për të parë se çfarë mesazhesh do të sjellin ato dhe pastaj me dalë me platforma të veta”, ka thënë Arifaj për Express, të shtunën.

Sekretarja amerikane Hillary Clinton bashkë me Shefen për Siguri dhe Politikë të Jashtme të BE’së, Catherine Ashtin, do të vizitojnë Kosovën, Serbinë, Bosnjën dhe disa vende tjera të Ballkanit gjatë javës së ardhshme. Është paralajmëruar se ajo do të inkurajojë Prishtinën dhe Beogradin të vazhdojnë bisedimet dhe normalizimin e raporteve ndërshtetërore.

Mediat në Serbi kanë përmendur edhe disa kushte që Clinton do t’ua tregojë zyrtarëve serbë në raport me Kosovën, duke përfshirë edhe largimin e strukturave paralele nga veriu.

Edhe Arifaj mendon se të gjitha detajet do të sqarohen tek pas përfundimit të vizitës së kryediplomates amerikane në rajon.

“Agjenda dhe caku i bisedimeve do të caktohet nga bashkësia ndërkombëtare. Nuk janë shumë të rëndësishme platformat e dy palëve, me rëndësi është çka do të thotë Sekretarja Clinton”, ka shtuar ai.

Ndryshe, gjatë ditës së shtunë, Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic, ka thënë se vetë e ka shkruar platformën për bisedime për Kosovën, por ka hezituar ta bëjë publike me arsyetimin se është sekret shtetëror.

Uji Dea

Megjithëkëtë, ai ka paralajmëruar bisedime të shpejta me Kosovën për të gjetur një zgjidhje për “statusin e Kosovës”.

Sipas tij, Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë një zgjidhje që serbët në veriun e Kosovës të kenë autonomi substanciale në mënyrë që të ardhurat që i mbledhin t’i shpërndajnë vetë si dhe të gjykojnë dhe hetojnë në mënyrë autonome.

Krejt këto deklarata, analisti Arifaj i konsideron se nuk kanë të bëjnë me përmirësimin e raporteve mes dy shteteve, por me afrinë e Beogradit drejt BE’së.

“Serbia nuk është e interesuar t’i normalizojë raportet me Kosovën. Serbia vazhdimisht është pengesë për Kosovën. Ajo i ka sytë te fondet strukturore të BE’së, ku kanë qasje vendet kandidate për të hyrë në BE”, ka thënë ai.

Arifaj thotë se nuk duhet të ketë asgjë më shumë sesa që përcaktohen në Pakon e Ahtisaarit për komunat me shumicë serbe.

“Krejt bisedimet po zhvillohen për shkak të presionit të ndërkombëtarëve. As Kosova dhe as Serbia nuk janë gati për bisedime”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, autoritetet në Kosovë vazhdimisht janë shprehur pro bisedimeve me Serbinë, por pa u diskutuar edhe problemi i veriut dhe çështjet e integritetit territorial.

Para një jave, në Bruksel, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Dacic, janë takuar me ndërmjetësimin e Baroneshës Ashton.

Sipas njoftimeve, në takim nuk ishte folur për temat që do të bisedohen mes dy palëve gjatë procesit dialogues, që do të nisë së shpejti. Dy palët kanë paralajmëruar takime të reja në muajin nëntor.

Nga dialogu teknik i zhvilluar mes Kosovës dhe Serbisë, që ka nisur vitin e kaluar, kanë mbetur pa u diskuar çështjet e energjisë dhe telekomunikacionit.