RCCOLA

A kemi një muze që pasqyron gjenocidin mbi ne?!

/ 4 minuta lexim

Nga Shefik Sadiku – Në vigjilje të 28 Nëntorit-Ditës së Flamurit apo Pavarësisë së Shtetit shqiptar të 1912-është e pamundur, po aq sa edhe e padrejtë të të mos i shkojë mendja çdo shqiptari të rritur për historinë deri te kjo datë.

Tashmë është ditur se 28 Nëntori, në historinë tonë kombëtare, shpërfaq tri momente jashtëzakonisht të rëndësishme historike: më 28 Nëntor 1443, Skënderbeu ngriti flamurin në Krujë, më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin e pavarësisë në Vlorë, më 28 Nëntor 1997, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e prirë nga Adem Jashari doli publikisht si formacion në Drenicë, e cila mori për detyrë çlirimin e Kosovës.

Në prag të çdo 28 Nëntori, po edhe më datën 28 Nëntor, shqiptarët kudo ku janë organizojnë manifestime, debate, tribuna dhe i urojnë njëri-tjetrit këtë datë të rëndësishme.

Është e kuptueshme se deri te kjo datë, si ditë e shënuar, populli ka kaluar sfida dhe krajata të shumta, prandaj nuk është e çuditshme se pas gjithë atyre vështirësive e sakrificave mbinjerëzore, shënimi i simbolikave të lartpërmendura në këtë datë, përjetohet kaq ngrohte, kaq madhërishëm dhe kaq emocionalisht nga të gjithë shqiptarët e të gjithë brezave. Jo pa të drejtë kjo datë mori edhe epitetin Festa Jonë Kombëtare.
Hiq Muzeun Historik në Tiranë, në të cilin, sigurisht, ka ndonjë pavion që pasqyron me fakte dhe dëshmi ngjarjet e para 28 Nëntorit 1912, në Kosovë kjo nuk ka mundur të bëhet, për arsye të ditura, para 1999-ës.

Por me të drejtë duhet ta shtrojmë pyetjen se a është bërë mjaftueshëm dhe aq sa ka pasur mundësi të bëhet kjo, pra, pasqyrimi i historisë së shqiptarëve të Kosovës pas 1999-ës ? Përgjigjja e kësaj pyetjeje , pa mëdyshje, është jo. Jo pra, nuk është bërë as mjaftueshëm dhe as sa do të mund të bëhej. Derisa sa të gjithë pajtohemi se vetëm regjimet e Serbisë kanë kryer tri gjenocide dhe shumë tentimgjenocide mbi shqiptarët në përgjithësi e ata të Kosovës në veçanti, nga periudha 1877- qershor 1999, ajo çka kemi bërë për ta pasur këtë histori brenda një muzeu,ekskluzivisht për këtë, nuk është bërë as përafërsisht.

RCCOLA

Mendoj se kjo ka mundur të bëhet dhe , edhe pse nuk është bërë, historia do të na gjykojë nëse nuk e bëjmë.

Pse duhet të bëhet një muze i veçantë për gjenocidin mbi shqiptarët e Kosovës ?
Sa ka kuptim që gjeneratat e reja, sidomos, të festojnë çdo vjet këtë datë duke ditur shumë pak të kaluarën para kësaj date ? Duke marrë para sysh se teknologjia bashkëkohore po i privon çdo ditë e më shumë të rinjtē nga leximi, ngritja e një muzeu të tillë,për brezat e rinj është domosdoshmëri kombëtare. Jam i bindur se në atë muze ka se çka të ekspozohet filluar nga sende materiale, fotografi, shkrime të gazetave të huaja e tonave, mbishkrime, citate të gazetarëve, diplomatëve, udhëpërshkruesve të huaj e shume e shumë materiale të tjera.

Periudha që do të përfshihej me këto materiale është ajo 1877 kur nis dëbimi masiv i dhunshëm kundër shqiptarëve nga Krahina e Toplicës e deri më 9 qershor 1999, kur Serbia nënshkroi aktin e kapitullimit dhe detyrimit të saj të tërhiqet nga Kosova. Mijëra e qindra mijëra eksponate dhe dokumente do të ekspozoheshin në këtë muze.

Rëndësia e ngritjes së këtij muzeu ka dy arsye: e para, faktori ndërkombëtar para kësaj pasqyre do të bindet më lehtë për gjenocidin e Serbisë mbi ne dhe padrejtësitë e tyre ndaj nesh,e dyta, të rinjtë tanë, brezat e ardhshëm më parë duhet të dijnë pse e festojmë 28 Nëntorin e pastaj të festojmë. Arsyen pse festojmë 28 Nëntorin ata, pse jo edhe ne, e mësojmë nga ky muze.