UBT

A ka të drejtë shkrimtari të jetë i lumtur?

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Fjala e Ramadan Mehmetit fitues i çmimit letrar “Beqir Musliu” e lexuar me rastin e dhënies së çmimit.

Dhe çfarë vizioni të lumturisë ofron krijuesi letrar?
Në fakt, shkrimtari nuk e ofron vizionin e konsumit për një mirëqenie materiale.

E, megjithatë, lumturia është një aspiratë e përbashkët e të gjithë neve, e secilës qenie njerëzore mbi tokë. Secili gjilanas këtu, aspiron që këtij vendi t’i dhurojë gjënë më të shtrenjtë për ta bërë sa më të bukur e sa më të lumtur.

Nëse krejt fushat tjera të jetës shoqërore, përpiqen ta ofrojnë vizionin e tyre për një mirëqenie materiale, edukuese, arsimore etj, letërsia, në radhë të parë ofron kënaqësinë estetike.

A nuk ishte vetë Beqir Musliu një aspirues i madh i të bukurës në art?

Në frymën e kësaj miqësie krijuese të së bukurës, për më shumë se një gjysmëshekulli, gjenerata ime e Beqir Musliut, kemi qenë dhe ende frymojmë për ta synuar e gjakuar të bukurën. Vetë Beqir Musliu shkroi disa herë për lulëkuqet e Kosovës, për Bozhuret e Kosovës. Për çdo vit, kjo gjeneratë vjen këtu për t’ia sjellë Gjilanit një bozhure të së bukurës dhe buzëqeshjes krijuese.

Uji Dea

Prandaj, edhe sot e ndiej veten shumëfish të lumtur me këtë çmim.

Në radhë të parë pse për çdo vit e përkujtojmë Beqir Musliun, këtë mbret të metaforës dhe të së bukurës, si është vlerësuar pikërisht këtu ky krijues i madh.

Në radhë të dytë, secili krijues e ndien veten shumëfish edhe të nderuar kur merr këtë çmim, pikërisht pse vlerësohet Kulti i së Bukurës në Art, përkushtimi i madh letrar për t’ia dhënë emrin, shpirtin dhe zemrën Gjilanit, në radhë të tretë pse po shpërblehet ajo bashkëndjesi personale krijuese e estetike e imja, që ka shtegtuar këndej, me Gjilanin e për Gjilanin për një jetë të tërë, dhe, së fundi, pse kështu po i jepet mirënjohje një gjenerate që ka mbi supe një histori të tërë edhe letrare, edhe gjilanase, edhe kombëtare.

Thjesht, e ndiej veten shumëfish të nderuar dhe të lumtur pse i kam takuar këtij brezi që ka krijuar një traditë të çmuar e një përvojë me vlerë.

Dhe këtë traditë e përvojë shpirtërore, estetike e letrare, ua lëmë pas Gjilanit, aty ku u nisën ato për të marrë udhët kombëtare e madje edhe ndërkombëtare.

Ramadan Mehmeti fitues i çmimit letrar “Beqir Musliu”