RCCOLA

A ka Kosova ende gjasa për Euro 2024?

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Kosova do të luajë të shtunën ndaj Zvicrës ndeshjen e katërt të fazës së grupeve për kualifikimet e Euro 2024.

Dardanët nuk i kanë nisur mirë këtë eliminatore edhe pse llogariteshin si favorit, sidomos për pozitën e dytë.

Nga katër ndeshje, Kosova ka marr tri barazime dhe një humbje deri më tani.

E nisi në mars me barazim në udhëtim te Izraeli (1-1) që u konsiderua rezultat pozitiv, por në ndeshjen e dytë kur pritej fitorja e parë, Kosova barazoi me Andorrën po ashtu me rezultat 1-1.

Ndeshjet e qershorit priteshin me entuziazëm për rikthim te rezultatet, por ndaj Rumanisë erdhi barazimi i tretë me radhë. Dardanët shënuan në këtë ndeshje, por për pozitë jashtë loje gjatë aksionit, goli u anulua.

Tri barazimet u harruan kur erdhi humbja nga Bjellorusia dhe atë në terren neutral, pasi ndeshje e humbur 2-1 erdhi në Budapest.

Kjo humbje rrëzoi entuziazmin e ekipit dhe tifozëve, pasi që kur kishin mbetur edhe gjashtë ndeshje, shpresat kishin filluar të veniteshin dukshëm.

Nga grupi ku ishin favorit, po rrëshqisnim në autsajder, ku fitorja e parë ende nuk ka ardhur.

Uji Dea

Por, shumë njohës i japin Kosovës ende gjasa për pozitën e dytë, me një kusht. Fitorja në ndeshje ndaj Zvicrës është detyrim, pasi një fitore në “Fadil Vokrri” të shtunën, do t’i dërgonte Dardanët në kuotën e 6 pikëve.

Pas kësaj do të mbeteshin edhe pesë ndeshje të tjera, që me dëshirë dhe angazhim më të madh, në secilën prej tyre do të mund të merrnin pikë.

Me 15 pikë të mbetura në lojë dhe me gjashtë sa do të kishte, gjithmonë nëse fiton nga Zvicra, atëherë Kosova do të kishte gjasa.

Kosova do t’i shkonte pastaj Rumanisë, ku fitorja do të ishte detyrim. Në tetor dardanët udhëtojnë te Andorra dhe presin Izraelin.

Kualifikimet mbyllen me Zvicrën si mysafir, pastaj në fund si vendas me Bjellorusinë.

Gjithçka nuk varet nga Dardanët, por duke parë që edhe ekipet e tjera përfaqësuese që janë në grup nuk kanë kualitete të mëdha, atëherë do të ishte gjithçka e mundur.

Pra, Kosova mund të ketë një gjasë të vogël që të rikthehej, por gjithçka varet nga ndeshja ndaj Zvicrës në “Fadil Vokrri”. /Telegrafi/