Uji Dea

A ishte Albin Kurti pjesë e UÇK-së? Ishte, pa asnjë dyshim

/ 12 minuta lexim

Nga Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA – Duhet të keni njohuri të thella, ta kuptoni Komandant Remin: Komandant Remin e njoh thuaja një shekull, që nga dalja ime nga burgu, pasi kalova thuaja nëntë vite në llogoret e ish-Jugosllavisë përkatësisht në llogoret e Bosnjë dhe Hercegovinës dhe të Kroacisë, prej të cilave pesë vite i kisha kaluar në vetmi dhe izolim.

Vetmia dhe izolimi për mua u shndërruan në shkollë fillore, të mesme, fakultet dhe aty i fitova të gjitha gradat shkencore që nuk i ofron as Kembrixhi, Oksfordi, Stanfordi, Uejlli e lëre më Universiteti i Prishtinës apo këto shkollat fillore private në Kosovë, të emërtuara si kolegje, ku përfundon studimin universitar. Aty, në pamundësi të zgjidhja se çka do të lexoja, e pasi kisha kohë të mjaftueshme dhe pasi njihja shumë mirë gjuhën serbo-kroate e pastaj, për shkak të revistës “Mlladina” fillova të lexojë dhe kuptojë edhe gjuhën sllovene, lexoja çdo gjë që më binte në dorë. Më kujtohet se në Qendrën e Paraburgimit në “Petrinjska” të Zagrebit pata lexuar veprat e shkrimtarit të njohur kosovar dhe jugosllav e që pastaj u bë edhe kryetar i Jugosllavisë, Sinan Hasanit, të Fadil Hoxhës dhe lexoja shumë gazetat ku, edhe në vazhdime kishte shkrime dhe përjetime të patriotëve të mëdhenj jugosllavë dhe kosovarë, Ali Shukrisë, Kolë Shirokës, Azem Vllasit etj.

Pasi dola nga burgu, me rekomandim të Bacës Adem Demaçi, në vjeshtë të vitit 1990, së bashku me Selman Hoxhën, Fehmi Blakçorin, Nexhmi Balën, Sylejman Blakun, Bajrush Behramin, Avdullah Ramën, Ahmet Hasanin, Arif Ejupin e të tjerë e formuam Nënkëshillin për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Podujevë e që selinë fillimisht e kishte në shtëpinë e Shaban Shalës, babait tim, atëherë me emërtim “JNA” nr. 4 kurse të gjitha takimet dhe aktivitetet zhvilloheshin në supermarketin “Vlora”, po në të njëjtën shtëpi.

Aty vinin të gjithë të burgosurit politik dhe ata që merreshin me aktivitete politike dhe kombëtare. Ishte i përhershëm doajeni i të burgosurve politikë llapjanë, Xheladin Rekaliu, Hakif Sheholli, Hamit Berberi, Qazim dhe Brahim Stublla, durulakët kurse, nga krahu, ta quaja rebel brenda LDK-së ishte Fatmir Toplica. Adnan Mustafa i jepte sharm dhe dinamikë diskutimeve politike pasi kishte talent për politikë.

Ishte edhe një vend ku mblidheshin “debatikët politikë të supermarketit Vlora”, ishte “Kafja e Sabitit” ku, duke gjerbur çaj rusi, me shumicë, rrathnim tema kombëtare e sidomos ato ndërkombëtare. Si gjithë shqiptarët, merreshim me tema të mëdha gjeopolitike dhe gjeostrategjike, zhvillimet ndërkombëtare që ndërlidheshin me Kosovën. Aty, te “Kafja e Sabitit” e takova Remin, një kohë aktivist i të rinjve të LDK-së, pastaj në Partinë Parlamentare për të vazhduar me organizimin e luftës në Llap, pas së cilës e fitoi titullin gjeneral dhe u identifikua me nofkën Komandant Remi të cilën e mbanë edhe sot.

Gjatë diskutimeve “Te Kafja e Sabitit”, komandant Remi shquhej me një mprehtësi të mendimeve politike dhe qartësi të elaborimeve strategjike në planin ushtarak. Mua më dukej se ishte një kombinim i përkryer i Uinston Çerçillit, si politikan dhe diplomat dhe i Aleksandrit – Lekës së Madh, si strateg ushtarak. Që nga ajo kohë kam qenë i sigurt se Komandant Remi do ta ketë një të ardhme të ndritur e që po del të jetë njëri ndër parashikimeve të sakta që i kam bërë, përkundër dështimeve që i kam pasur duke bërë përpjekje ta luaj rolin e Nostradamusit.

Komandant Remin e pata vizituar edhe në fshatin Llapashticë ku ishte vendosur Shtabi i Zonës Operative të Llapit gjatë luftës si edhe në shtëpinë e Adem Deshishkut në Kolovicë, ku ishte vendosur i njëjti shtab, tash pasi kishte përfunduar lufta. Komandant Remi ka qenë vizionar për faktin se për dallim nga të tjerët, nuk i ka parë ngjarjet gjatë procesit të zhvillimit por i ka paraparë, ende pa filluar të ndodhin. Gjatë luftës e pati bërë një veprim të jashtëzakonshëm; në kohën kur Baca Adem Demaçi, deri atëherë thuaja i panjohur, për ta kthyer dhe për ta bërë të gjallë në skenën politike, Komandant Remi e pati liruar një serb të zënë rob nga UÇK-së, shumarin apo pylltarin serb, i armatosur deri në dhëmbë duke deklaruar se këtë po e bënë për fjalën dhe kërkesë të Bacës Adem Demaçi. Pas përfundimit të luftës, rrugëtimi drejtë lavdisë dhe nderit i Komandant Remit vazhdoi përmes TMK-së për të vazhduar pastaj në angazhimin politik në PDK-së sikur edhe duke qenë në Shërbim të Popullit, si deputet i Kuvendit të Kosovës. Mirëpo, nuk ishte e shtruar vetëm me trëndafila rruga jetësore e Komandant Remit, një pjesëe saj ishte si Via Doloressa që kaloi Krishti deri sa u kryqëzua. Ishte vet Golgota e shkaktuar dhe sajuar nga gjykatat proserbe të UNMIK-ut në Kosovë.

Tash, si Shpata e Demokleut po i rrinë mbi qafë Dhoma e Specializuar të cilën Komandant Remi, si i Dyshuar Dëshmitar nuk po e merr aspak seriozisht. Komandant Remi kurrë nuk e ndërpreu aktivitetin politik, kombëtar dhe publicistik, as në këto kohë kur Dhoma e Specializuar ka vendosur që ta burgosë UÇK-në, ta ndryshojë historinë duke dhënë shumë intervista, duke postuar qëndrime të mprehta politike dhe duke bërë analiza me shumë rëndësi për zhvillimet botërore. Madje, lirisht mund të thuhet edhe të domosdoshme. Komandant Remi kishte shkruar edhe libra të cilat nuk i kam lexuar por thuhet se kritika i ka pranuar jashtëzakonisht mirë.

Kur, më në fund shpreha gatishmëri t’i lexoj, një mik imi më tha të mos merrem me to për faktin se kapaciteti i trurit tim është i pamjaftueshëm të kuptojë ate që ka shkruar Komandant Remi. Postimi i fundit i Komandant Remit e që ngriti shumë pluhur në qarqet intelektuale, politike, kombëtare, ushtarake dhe analitike të Kosovës ishte se: “Albin Kurti ka qenë bashkëluftëtar i tij në luftën e fundit…”.

RCCOLA

Shumë komadantë, të shndërruar në politikanë me një alkimi të panjohur deri më tani, duke dashur ta sulmojnë Albinin, iu sulën Komandant Remit, e them, pa asnjë arsye sepse edhe unë e ndaj të njëjtin mendim me Komandant Remin. Thanë se Albin Kurti ishte përkthyes i Bacës Adem Demaçi, se ka pasur frikë nga armët dhe se nuk ka pasur guxim ta veshë uniformën e UÇK-së, dhe shumë pallavra të tjera..

Albin Kurti si idealist dhe Albin Kurti si politikan: Edhe Albin Kurtin e njoh një kohë të gjatë. E njoh si aktivist i Lëvizjes Studentore që kundërshtonte okupimin e objekteve studentore dhe kërkonte lirimin e tyre. E kundërshtonte okupimin e Kosovës dhe angazhohej për çlirimin e saj, si hap i parë dhe, bashkimin e trojeve shqiptare, si hap i fundit. Ishte ikonë e Lëvizjes Studentore me një dukje si Jimmy Hendrix apo Bob Marley, për shkak të flokëve apo frizurës afrikane. Ishte kundër lëvizjes paqësore e cila, në fakt nuk ishte kurrfarë rezistence por legjitimin i robërisë. Mbahet mend, edhe unë e mbajë mend ditën kur të rinjtë por edhe qytetarët, të veshur me këmisha të bardha demonstruan në Lagjen Velania, aty ku jetonte arkitekti i mosveprimit ndaj dhunës, për lirim të objekteve universitare me ç’rast Albin Kurti u torturua çnjerëzisht nga inspektorët e Serbisë që udhëhiqeshin nga udbashi terrorist, Kovaç.

Po në atë kohë, Albin Kurti ishte politikisht në linjë me Bacën Adem Demaçi dhe Paratinë Parlamentare të Kosovës udhëheqjen e së cilës e mori Baca Adem Demaçi me të vetmin qëllim t’i bëhet krah politik Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Një numër i bashkëpunëtorëve të ngushtë të Bacës Adem Demaçi që e përkrahnin në Partinë Parlamentare pastaj u bënë pjesë e Zyrës së Përfaqësuesit Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krye të së cilës ishte Baca Adem Demaçi. Skender Kastrati ishte njeriu i dytë i zyres së UÇK-së ndërsa unë isha i treti, ndonëse isha në KMDLNj. Baca Adem Demaçi afër vetes nuk i mbante ata që kishin frikë. Më kujtohet shumë mirë se kur Albin Kurti, në moshë të re erdhi në Zyren e UÇK-së në Prishtinë, ka ardhur bashkë me babain e vet, Zaim Kurti, një aktivist i jashtëzakonshëm, i palodhshëm i Partisë Parlamentare dhe përkrahës i madh i Bacës Adem Demaçi por i cili asnjëherë nuk dilte në planin e parë, ishte shumë modest ndonëse ka punuar tërë kohën duke marrë rreziqe për jetën e vet. Kur Baca Adem Demaçi i ka thënë Zaim Kurtit se duhet ta ketë të qartë se angazhimi i Albin Kurtit në Zyrën e UÇK-së bartë shumë rreziqe përgjigja e Zaim Kurtit ka qenë: “Ani Baca Adem, këtë djalë po ta lë si kurban për lirinë e Kosovës…”.

Kjo ishte e vërteta ndërsa Albin Kurti ishte këmbëngulës të bëhet pjesë e Zyrës së UÇK-së dhe pa pëlqimin e Albinit, as Zaimi nuk do të ishte në gjendje ta detyrojë Albinin ta merr këtë përgjegjësi. Aspak nuk ishte e vërtetë se Baca Adem Demaçi e ka angazhuar Albinin vetëm si përkthyes për faktin se Albini e fliste gjuhën angleze shkëlqyeshëm. Baca Adem e ka angazhuar Albinin edhe si këshilltar, edhe si shef të protokollit sikur që e ka pasur shoqërues thuaja në të gjitha vizitat që Baca i ka bërë në Zonat Operative të UÇK-së dhe ku nuk kishte nevojë, as të komunikohej e as të përkthehej anglisht – shqip dhe anasjelltas. Në atë kohë Albin Kurti ka qenë idealist prandaj edhe ka marrë frymë si UÇK-së. Në mënyrë absolute e them se Albini, në atë kohë nuk e ka ditur çka është frika.

Realisht, në atë kohë më rrezik ka qenë të jesh pjesë e Zyrës së UÇK-së në Prishtinë, se të luftosh në front, i armatosur. Siç thoshte Baca Adem Demaçi, ishim në gojë të ujkut, në qendër të Prishtinës dhe vetëm vlerësimi i Serbisë ka ndikuar që të mos arrestohen anëtarët e Zyrës që vinin çdo ditë dhe qëndronin deri në 14 orë në Zyrë. Prandaj, të gjithë këta unë i konsideroj si ushtarë të UÇK-së; Skender Kastratin, Albin Kurtin, Milot Cakën, Dritonin, Shashivar Makollin, Bajrush Behramin, Zaim Kurtin, babain e Albulena Haxhiut, Zanën, Nuhi Ahmetin, Fexhrie Shalën, Avdullah Dërgutin, Behxhet Shalën dhe të tjerë për faktin se çdo ditë ishim në atë Zyre dhe asnjëherë nuk e dinim nëse do të ktheheshim të gjallë në shtëpi. Unë, për veten time çdo ditë kam qenë në Zyren e UÇK-së dhe jam takuar me Bacën Adem Demaçi dhe i njoh jashtëzakonisht mirë zhvillimet në atë Zyrë. Mos të harrojmë faktin se policia serbe, gjatë luftës pati arrestuar tërë familjen e Albin Kurtit përjashtuar nënën e Albinit, zonjën Arife Kurti, një femër, atdhetare dhe një nënë e jashtëzakonshme sakrifikuese.

Sipas informatave të KMDLNj-së e pastaj edhe Albini i kishte konfirmuar pas lirimit nga burgu i Pozharevcit por edhe bashkëvuajtësve të Albinit, Albin Kurti ishte rraahur mizorisht në Burgun e Lipjanit sa që e kishin lënë për të vdekur dhe se kjo torturë kishte vazhduar edhe në burgun e Pozharevcit pas përballjes me ministrin e Drejtësisë së Serbisë, i kamufluar si gazetar. Qëndrimi i Albin Kurtit me atë rast ishte antologjik dhe i papërsëritshëm në mbrojtje të dinjitetit dhe interesit kombëtar.

Pastaj, Albin Kurti e pati kundërshtuar Rambujenë për dallim nga Bujar Dugolli dhe Bajram Kosumi dhe disa ish liderë studentorë. Natyrisht se qëndrim të drejtë dhe të fortë ka pasur edhe Muhamet Mavraj. Tash, ta sulmoni Komandant Remin që e tha një të vërtetë të pamohueshme është një veprim hakmarrës dhe amatoresk i opozitës kosovare. Unë po flasë për një të kaluar që kam qenë dëshmitar okular prandaj e them të vërtetën.

Natyrisht se pas një kohe edhe Baca Adem Demaçi, edhe unë i kemi ndarë rrugët politike me Albinin mirëpo kjo nuk nënkupton se nuk duhat ta themi të vërtetën ashtu siç ka qenë dhe si e thotë Komandant Remi në postimin e tij që ngjalli aq shumë reagime. Duhet të bëhet një prerje e qartë midis Albin Kurtit si idealist që ishte në atë kohë dhe të Albin Kurtit si politikan, që është sot.

Albin Kurti të kaluarën e ka kombëtare, pa asnjë dyshim kurse e ardhmja e afërt do të na flasë për të tashmën e Albin Kurtit se cili ishte Albin Kurti si idealist e cili është si politikan! Por është skajshmërisht e pandershme ta luftoni të tashmen e Albin Kurtit me një të kaluar që e ka të pakompromituar, për shkaqe ekskluzivisht politike!