UBT

A ishte Ajnshtajni “shqiptar”?

/ 6 minuta lexim
Fundamenti

Einstein nuk ka qenë asnjëherë në Shqipëri dhe nuk ka pasur kurrë pasaportë shqiptare. Megjithatë, Shqipëria ka të gjitha arsyet për të qenë krenare për shpëtimin e shumë hebrenjve nga deportimi gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Strehimi në Shqipëri i Albert Ajnshtajnit (Albert Einstein), rrugës për në SHBA, për të shpëtuar nga deportimi nazist, është një pohim i përhapur shumë, sidomos viteve të fundit jo vetëm ndër shqiptarët. Përveç gazetave, filmave dokumentarë etj. rreth këtij qëndrimi janë bashkuar edhe shkencëtarë seriozë, përfshirë madje edhe qendra të ndryshme e revista hebreite në botë.

Ndërkaq, gazeta “Berner Zeitung” në një artikull të zgjeruar provon të hedhë poshtë këtë tezë, duke konsultuar burime relevante, kryesisht biografë zyrtarë të Einsteinit etj.

“A ishte Einstein shqiptar”, është titulli i artikullit, që bën fjalë për pretendimin se Einstein, për t`i shpëtuar përndjekjes naziste, në vitin 1935 kishte marrë pasaportën shqiptare dhe pasi kishte qëndruar disa ditë në Durrës, kishte vazhduar rrugën për në SHBA.

“Një film dokumentar shqiptar tregon se si civilët shqiptarë kanë shpëtuar shumë hebrenj nga deportimi drejt vdekjes së sigurt. Ai është shfaqur kohë më parë edhe në Bernë në përkujtim të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë”, shkruan “BZ” për filmin “Rescue in Albania (Shpëtimi në Shqipëri).

“Para Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri jetonin 200 hebrenj ndërsa pas luftës, u bënë 2000. Me këtë, Shqipëria është vendi i vetëm në botë në të cilin numri i hebrenjve gjatë viteve të luftës është rritur”, nënvizon gazeta. Pastaj ajo përshkruan rrjedhën e filmit (për të cilin ka shkruar edhe albinfo.ch.) i cili, përmes rrëfimeve të hebrenjve të shpëtuar dhe familjarëve të tyre, pasqyron madhështinë e sakrificës sëshqiptarëve që rrezikuan veten për të shpëtuar hebrenjtë. Madje jo vetëm populli, edhe autoritetet shqiptare nën sundimin nazist kanë meritat për këtë shpëtim. Ato, thjesht, nuk u kanë dorëzuar nazistëve listat e hebrenjve që jetonin në territorin shqiptar. Sot, në Jerusalem, në monumentin Yad Vashem janë të gëdhendur emrat e 65 shqiptarëve të nderuar nga Izraeli si “Të drejtët e popujve”, vazhdon “BZ”.

Por, në një aspekt, sipas gazetës, ky film dhe një pjesë e historiografisë dhe publicistikës shqiptare, madje dhe botërore, çalon. Është fjala për pohimin që dëgjohet edhe në filmin e përfolur se “në vitin 1935 edhe Albert Einstein përfitoi nga mikpritja shqiptare, për të kaluar nga Evropa në SHBA. Ai ka qëndruar tri ditë në Durrës, në rezidencën mbretërore, para se të vazhdonte me anije rrugën e tij për në botën e lirë. Gjithë këtë rrugë ai e bën i pajisur me pasaportë shqiptare”, thuhet në filmin e përmendur, pa u cituar ndonjë burim.

Mirëpo, vazhdon gazeta, ky pohim i dëgjuar në film është një mit që qarkullon prej vitesh në internet dhe ka njohur një përhapje të madhe. Ai, pa iu verifikuar vërtetësia, është përdorur herë pas here edhe nga gazeta serioze. Në vitin 2004, Shaban Sinani, profesor historie dhe ish drejtor i Arkivit Shtetëror të Sqipërisë, në një punim mbi shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri shkruan si vijon:

FIDANISHTJA

“Nga burime të tërthorta kuptohet se në atë kohë, shkencëtari i famshëm hebre Albert Einstein kishte ndaluar inkognito në Shqipëri”.

Kjo fjali pastaj është marrë nga historianët tjerë shqiptarë dhe është parë më vonë edhe në revistën religjioze “Glaube in der 2.Welt” ose në një shkrim të revistës mujore të Berlinit “Jüdische Zeitung”, që bën fjalë për hebrenjtë në Kosovë. Edhe “Jüdische Allgemeine” në një mënyrë më të përgjithësuar ka shkruar rreth kësaj në vitin 2009: “Madje edhe vetë Albert Einstein duket të ketë qëndruar inkognito në Shqipëri”. Ndërsa gazeta “Welt” e vitit 2011 shkruan: “Është e vërtetë se Albert Einstein në vitin 1935 ka ikur në Amerikë me një pasaportë shqiptare, të cilën ai e ka marrë gjatë një qëndrimi të shkurtë në Mbretërinë e Shqipërisë”.

A ka qenë pra Einstein në atë kohë të errët në Shqipëri? – shtron pyetjen gazeta Berner Zeitung. “Kjo gjë përjashtohet” thotë Barbara Wolff për gazetën. Ajo është arkiviste në arkivin Albert Einstein në Hebrew University në Jerusalem. Wolff, për shkak të thashethemeve që qarkullojnë, i ka hyrë edhe njëherë verifikimit me themel të qëndrueshmërisë së mitit shqiptar të Einsteinit. Për këtë eksperte të Einsteinit është e qartë: “Pas vitit 1933, Einstein me siguri nuk e ka shkelur tokën shqioptare dhe Einstein nuk ka pasur kurrë pasaportë shqiptare”.

Në vitin 1935, periudhë kjo për të cilën pretendohet që ai të ketë qenë në Shqipëri, shkencëtari i madh kishte kohë që ndodhej në SHBA. Barbara Wolf lidhur me këtë thotë: “Einstein në tetor të vitit 1933 udhëton në SHBA, si turist, me pasaportë zvicerane. Në këtë kohë ai e kishte dorëzuar pasaportën gjermane. Në fakt, në vitin 1934 Einsteinit i qe revokuar shtetësia gjermane”.

Edhe Hans-Rudolf Ott, kryetar i Shoqatës “Einstein” në Bernë përjashton kategorikisht “intermecon shqiptare” të Einsteinit. “Albert Einstein në tetor 1933 ka braktisur Evropën përmes Southampton-it dhe ka udhëtuar me anije për në SHBA. Deri në vdekje ai nuk është kthyer kurrë më në Evropë.”

Ndërkohë, gazeta nuk lë pa nënvizuar se Einsteini gjatë gjithë kësaj kohe ka mbajtur pasaportë zvicerane, deri sa në vitin 1940 ka marrë shtetësinë amerikane.

Ndërsa për fund, “BZ” megjithatë “dhuron sheqerka” edhe për shqiptarët: “Albert Einstein nuk ka qenë asnjëherë në Shqipëri dhe nuk ka pasur kurrë pasaportë shqiptare.

Megjithatë, Shqipëria ka të gjitha arsyet për të qenë krenare për shpëtimin e shumë hebrenjve nga deportimi gjatë Luftës së Dytë Botërore“, përfundon gazeta zvicerane “Berner Zeitung”.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.