A i besojnë bashkatdhetarët votimit nëpërmes postës?!
Dita e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit në Kosovë po afrohet, ndërsa fushata zgjedhore po bëhet për çdo ditë e më e nxehtë edhe në diasporë.
Interesimi për të votuar në zgjedhjet lokale në Kosovë nga diaspora duket se këtë herë është më i madh se herëve të tjera, por jo nëpërmjet postës.
Numri i shtetasve të Kosovës që jetojnë në mëgrim, e që kanë aplikuar për t’u regjistruar si votues nëpërmes postës është tejet i vogël.
Mirëpo, ka të atillë që dëshirojnë të shkojnë në Kosovë për të votuar për komunën e tyre.
Bashkatdhetarët kanë mendime të ndryshme, kur pyeten se çka presin prej zgjedhjeve të 3 nëntorit, dhe se a besojnë në votën e tyre të dhënë nëpërmjet postës.
“Duke e ditur që vota me postë ka mundësi për manipulime, unë kësaj radhe kam vendosur të shkoj në Kosovë dhe të votoj, pasi që vota është e shenjtë dhe nuk do të lejoj që vota ime të keqpërdoret, por të shkojë aty ku unë dëshiroj”, thotë për albinfo.ch Musa Sylejmani nga Soloturni i Zvicrës.
Ai pret prej këtyre zgjedhjeve një Kosovë më ndryshe nga ajo që është sot.
“Për fat të keq, sot kemi komunat që kanë nivelin e korrupsionit të barabartë me atë qendror”, thotë Sylejmani.
Edhe Driton Xhymshiti mendon se votimit nëpërmjet postës nuk është për t’i besuar.
“Kam vendosur të votoj, dhe do të shkoj në Kosovë të votoj. Votimit përmes postës i besoj, por jo edhe aq, kurse nga këto zgjedhje pres diçka më të mirë se që kemi pasur deri më tash”, shprehet Driton Xhymshiti nga Horgeni.
Ndryshe nga shumë të tjerë mendon Agron Zahiri.
“Unë do të votoj nëpërmes postës dhe pres e shpresoj që zgjedhjet të jenë të ndershme dhe demokratike”, thotë Zahiri, një bashkatdhetar që jeton dhe punon në Cyrih.
Mërgimtarët përveç që nuk i besojnë votimit nëpërmjet postës, ata konsiderojnë se edhe procedurat janë mjaft të komplikuara për votim nëpërmes postës.
Janë vetëm 2150 kosovarë që jetojnë jashtë vendit e që kanë aplikuar për votime në zgjedhjet e 3 nëntorit, ndërsa pas verifikimit të kërkesave, Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka certifikuar vetëm 1800 prej tyre.
KQZ-ja thotë të ketë bërë fushatë për sensibilizimin e bashkatdhetarëve që jetojnë në diasporë lidhur me të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet e nëntorit 2013.
Edhe Ministria e Diasporës thotë të ketë bërë kërkesë 2 herë në KQZ që të zgjatet afati i regjistrimit për votim jashtë Kosovës.
Sido që të jetë, ethet e fushatës zgjedhore në Kosovë po ndjehen edhe në diasporë.
Fushata për zgjedhjet e 3 nëntorit, është temë që më së shumti dëgjohet gjatë bisedave të qytetarëve edhe në Zvicër./albinfo/


