Mobi Casa

A gënjeu MPJ apo Peci do të ndiqet penalisht?

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Nëse pretendimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dalin të vërteta se Lulzim Peci ka pasur takime të paautorizuara me zyrtarë serbë dhe ka rrezikuar sigurinë shtetërore të Kosovës, atëherë ish-ambasadori do të përballet me akuza për tradhti kombëtare.

Por, sot, as Ministria e Punëve të Jashtme dhe as Lulzim Peci nuk kanë lëshuar asnjë deklaratë në lidhje me këto akuza.

Një ditë më parë, Peci dha dorëheqje me arsyetimin se ishte qortuar nga Kryeministri Thaçi për shkak të një deklarate që e kishte thënë në Beograd se nuk ka normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërshtetërore pa njohjen e Kosovës nga Serbia.

Menjëherë pas kësaj, Ministria e Punëve të Jashtme kishte reaguar duke hedhur akuza të rënda në drejtim të Pecit se “ka pasur takime të paautorizuara dhe se e ka rrezikuar sigurinë shtetërore”.

Eksperti ligjor, Korab Sejdiu thotë se MPJ nuk ka dhënë informata të mjaftueshme që mund të dëshmojnë nëse ish-ambasadori ka kryer vepër penale sipas Kodit Penal.

“Në këtë rast reagimi i MPJ’së ka qenë i kufizuar në dhënien e informatave dhe asaj që kanë pretendu që kinse ka bërë z. Peci”, ka thënë Sejdiu, për Express, të enjten.

Sipas tij, edhe Peci mund të padisë MPJ’në dhe të kërkojë dëmshpërblim nëse aludimet ndaj tij janë të rrejshme.

“Aty janë vetëm disa aludime, që edhe ato janë të dëmshme për z. Peci nëse nuk janë të vërteta”, ka shtuar ai.

Në Kodin Penal, Neni 124, ku flitet për tradhtinë kombëtare, përmenden disa vepra penale për të cilat kryesi mund të dënohet prej pesë deri në burgim të përjetshëm.

Por, institucionet e Kosovës nuk kanë dhënë shenja se Peci mund të përballet me drejtësinë.

Mobi Casa

Express ka pyetur në Ministrinë e Jashtme nëse do të ndiqet penalisht Peci ose do të paraqitet në Prokurori, por nuk ka marrë përgjigje.

Ndërkohë, Deputeti i PDK’së, Behar Selimi thotë se në këtë rast duhet të përfshihet Agjencia Kosovare e Inteligjencës, e cila është përgjegjëse për të vërtetuar nëse dikush ka rrezikuar sigurinë shtetërore.

“Në këtë rast, pretendimet e MPJ’së duhet të jenë objekt i analizës dhe përpunimit profesional të AKI’së. Këto dy institucione duhet të bashkëpunojnë ngushtësisht për të vlerësuar përfundimisht që mund të jetë bërë sigurisë kombëtarë”, ka thënë Selimi.

Sipas tij, është herët për t’u përfshirë edhe Prokuroria në këtë rast.

“Është herët të angazhohet në mënyrë imediate prokuroria. AKI’ja duhet ta bëjë punën e vet në mënyrë që të vlerësohet profesionalisht supozimi i kërcënimit eventual i sigurisë kombëtare. Pastaj duhet të aktivizohen organet e ndjekjes penale”, ka thënë ai.

Edhe deputeti i LDK’së, Arben Gashi thotë se reagimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme është joprofesional dhe emocional ashtu siç ka qenë edhe dorëheqja e Pecit.

“Ministria e Punëve të Jashtme ka lëshuar një reagim emocional, inatçor dhe të paarsyeshëm. Por, mendoj se pretendimet e tyre janë reagime emocionale, të paarsyeshme dhe i pamenduar që nuk guxon me i ndodh MPJ’së që ka shkaktuar dëme të mëdha brenda dhe jashtë vendit”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, nëse pretendimet e MPJ’së do të ishin të vërteta atëherë Lulzim Peci do të duhej të arrestohej.

“Nëse është e vërtetë ajo që pretendon Ministria e Punëve të Jashtme se z. Peci ka bërë tradhti shtetërore, atëherë Kodi Penal e parasheh dënimin për tradhti shtetërore dhe është shumë thjeshtë ai është dashur të arrestohet deri më tash nëse do të ishte e vërtetë”, ka shtuar ai.

Më poshtë mund të ndiqni një interevistë të z. Peci pak para nisjes për në Beograd, dhënë për emisionin InfoMagazina të televizionit Klan Kosova.(express)