Mobi Casa

A është Sekiraqa gangster apo veprimtar politik?

/ 4 minuta lexim

I përshkruar në kabllo diplomatike dhe dosje policore si gangster dhe i ndjekur për vepra penale, Enver Sekiraqa thotë në një intervistë se me policin Trium Riza për herë të parë kishte pasur probleme më 2005 në Swiss Casino. Se këngëtaren Adelina Ismajli e kishte vetëm shoqe. Se ka mbledhur vota për LDK-në dhe se e ka takuar Ukë Rugovën.

Pohon se ishte rrahur me “palicë” nga Latif Gashi në një ahër kafshësh në Llap, gjatë luftës. Dhe se nuk kishte qenë bashkëpunëtor i regjimit serb.

Me një flet-arrestim që ishte lëshuar nga UNMIK-u në gusht 2007 në Interpol, Enver Sekiraqa, lindur më 18 nëntor 1973 në Prishtinë, i gjatë 183 cm, kërkohej me dyshimin se ka kryer veprat penale të krimit të organizuar ndërkombëtar, vjedhjes, krimeve seksuale etj.

Policia ishte në kërkim të tij që nga vrasja e policit Triumf Riza në fund të gushtit 2007. Në vitin 2005, në një kazino në Prishtinë kishte pasur përleshje mes Rizës dhe Enver Sekiraqës. Kabllot diplomatike, të lëshuara nga wikileaks më 2011, dhe që i takonin vitit 2007, e përshkruanin këtë të fundit si një gangster me lidhje me politikanë të fuqishëm. Ai është i dënuar me dy vjet burg për veprën penale të kërcënimit dhe pengimit të personave zyrtarë gjatë përmbushjes së detyrës.

Dy policë ishin shpallur fajtorë më 2009 për shpërthimin e 24 shtatorit 2007 në lagjen “Dardania” në Prishtinë, ku patën humbur jetën dy persona dhe disa të tjerë qenë lënduar. Besohet se cak i sulmit me eksploziv ka qenë lokali “Sekiraqa Bar” në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e policit Trium Riza. Në Agjencionin për Regjistrimin e Bizneseve D.P.H. “Sekiraqa Bar”, shënon për aktivitete bastvënien dhe bixhozin.

Gjatë luftës, më 1999, ai është ndaluar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) për dyshime se kishte ndërlidhje me regjimin shtypës serb.

Pas luftës, Sekiraqa ka folur vetëm një herë publikisht, në një intervistë në gazetën LAJM të vitit 2004, në të cilën ka thënë se merret me shitblerje të tokës.

Fidanishtja

Në një intervistë për Gazetën Jeta në Kosovë, të dhënë disa ditë përpara vetëdorëzimit në EULEX më 26 shtator të këtij viti, Sekiraqa ka dhënë versionin e tij për një numër ngjarjesh që e ndërlidhin atë. Intervista botohet vetëm tash pasi të gjitha palët e përmendura nga Sekiraqa janë kontaktuar.

Sekiraqa thotë se ka qenë subjekt i disa atentateve, se merret me tregti, se posedon përfaqësinë e “Bruno Coffee” (bari Bruno figuron nën pronësinë e Naser Sekiraqës), se është marrë me patundshmëri, ndërtime të shtëpive, se ka mbledhur vota për parti politike dhe ka qenë viktimë e ndjekjes policore dhe të UÇK-së etj.

“Më kanë përcjellë disa probleme, pa dashjen time, si atentate e montazha”, tha Sekiraqa. Por përse këto probleme e kanë përcjellë pikërisht atë? “Me siguri mendojnë se po të dominojnë tek ne, me të tjerët e kanë më lehtë…unë nuk i kam lypë problemet, unë kam dalë e kam kërkuar vota për LDK-në edhe i kam ndihmuar LDK-sëtë fitojë se kam menduar se është më e mira”.

Sekiraqa thotë se nuk ka qenë në strukturat zyrtare të LDK-së. Gjatë intervistës, herë e cilëson vehten si anëtar të kësaj partie, e herë si veprimtar vullnetar i saj.

“Nuk kam pasur kurrfarë afërsie me askënd brenda LDK-së. Asnjëherë nuk jam takuar me Presidentin Rugova, përveç që e kam parë në fjalime, ndërsa me Ukë Rugovën jam takuar një herë”. Ai nuk ka cekur vendin, arsyen dhe kohën e këtij takimi. Ukë Rugova nuk ka pranuar të flasë.

Sekiraqa thotë se nuk ka qenë bashkëpunëtor i policisëserbe, për çka dyshohet se e ka arrestuar Zona Operative e Llapit në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). /gazetajnk.com/