RCCOLA

A është Kosova e përgatitur për dimrin e rrezikshëm, çmimet e produkteve elementare prekën “qiellin”

/ 7 minuta lexim

Çmimet e produkteve të konsumit kanë pësuar rritje të madhe në vitin 2022. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në mes të tremujorit të parë dhe tremujorit të dytë të vitit 2022, janë rritur çmimet për 0.7 përqind. Ndërsa me një krahasim të vitit 2021, çmimet u ngritën në një mesatare prej 10%. OKB-ja në anën tjetër ka paralajmëruar një dimër të rrezikshëm, por sa është vendi i përgatitur për të?

Sipas statistikave të ASK-së, Mesatarja Vjetore e Indeksit të cmimeve nga viti 2002 e deri në vitin 2021 ka pësuar një rritje të madhe. Në vitin 2002 mesatarja vjetore ka qenë 78.1, ndërsa në vitin 2021 është ngritur në 109.3. Nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, kjo ngritje e çmimeve konsiderohet si një ngritje jashtëzakonisht e madhe dhe si e tillë ua ka rënduar edhe më tepër jetën qytetarëve.

“Realisht është një ngritje jashtëzakonisht e madhe e cila ka ndodhur për një kohë relativisht të shkurtër, veçanërisht nëse i referohemi vitit të fundit do të thotë vitit 2022 dhe ngritjes enorme të çmimeve të produkteve esenciale të shportës familjare por jo vetëm. Sepse një ngritje e madhe e çmimeve ka ndodhur në produktet ushqimore, të energjisë elektrike si dhe naftës e derivateve të saj, si e tillë kjo ka rënduar edhe më tepër jetën e qytetarëve dhe mirëqenien e tyre, tha për Insajderin Zëdhënësja për Media nga Dhoma e Tregtisë, Fjolla Smaili.

Ngritja enorme e çmimeve të produkteve ushqimore ndër vite, sa ishte çmimi i tyre para disa viteve dhe sa është tash:

Disa prej produkteve ushqimore të cilat kanë pësuar ngritje gjatë tri viteve të fundit, 2020, 2021 dhe 2022, janë këto, çmimet e të cilave janë publikuar nga ASK-ja.

Oriz 1 kg në vitin 2020 ka qenë 1.42euro, në vitin 2022, 1.44euro dhe në vitin 2022 ëshët ngritur në 1.46euro

Miell gruri 1 kg në vitin 2020 0.52cent, në vitin 2021, 0.78cent dhe në vitin 2022, 0.79cent.

Bukë e bardhë 500 gr, në vitin 2020, 0.36cent, në vitin 2021, 0.46cent dhe në vitin 2022 0.46 cent.

Mish gjedhi pa eshtra 1 kgm në vitin 2020, 6.65 euro, në vitin 2021, 7.96 euro dhe në vitin 2022, 8.20 euro.

Mish viçi 1 kg, në vitin 2020, 7.45 euro, në vitin 2021, 8.90 euro dhe në vitin 2022 8.94 euro.

Mish pule 1 kg, në vitin 2020 2.64euro, në vitin 2021, 3.71euro dhe në vitin 2022, 3.78 euro.

Qumësht (Tetrapak) 1 lit, në vitin 2020, 0.91cent, në vitin 2021, 1.08 euro, dhe në vitin 2022, 1.09 euro.

Jogurt 1 lit, në vitin 2020. 0.89cent, në vitin 2021, 1.04 euro, dhe në vitin 2022, 1.06 euro.

Vezë 30 copë, në vitin 2020, 1.92euro, në vitin 2021, 3.25euro dhe në vitin 2022, 2.78euro.

Vaj ushqimor luledielli 1 lit, në vitin 2020, 1.56 euro, në vitin 2021, 2.78euro, dhe në vitin 2022, 2.80 euro.

Sheqer 1 kg, në vitin 2020, 0.70cent, në vitin 2021, 0.98cent, dhe në vitin 2022, 1.03euro.

Kafe e bluar 1 kg, në vitin 2020, 9.44 euro, në vitin 2021, 11.34 euro, dhe në vitin 2022, 11.61 euro.

Fundamenti

Çaj 1 kg, në vitin 2020, 7.77 euro, në vitin 2021, 8.39 euro dhe në vitin 2022, 8.44 euro.

Sipas Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, pjesë e organizatës Oda e Afarizmit të Kosovës një rritje e tillë e përnjëhershme e çmimit të produkteve ka ndodhur për shkak të krizës globale dhe zhvillimeve të fundit mes Ukrainës dhe Rusisë.

“Konsiderojmë se një ngritje e përnjëhershme e çmimeve të produkteve të ndryshme ka ndodhur kryesisht për shkak të krizës ekonomike globale dhe zhvillimeve të fundit me luftën në mes Ukrainës dhe Rusisë, gjë e cila veç ka shkuar duke e thelluar krizën ekonomike si të qytetarëve ashtu edhe bizneseve. Duke qenë si vend që varemi nga produktet e importit, rritja e kostos në të gjitha produktet duke startuar që nga lënda e parë në mënyrë zinxhirore ka ndikuar edhe në rritjen e kostos së produkteve finale. Kjo gjendje e rënduar e ekonomive familjare dhe atyre biznesore vie veçanarisht pas ballafaqimit me pandeminë Covid-19, luftës në Ukrainë dhe rritjes enorme të çmimeve të produkteve si të atyre esenciale dhe joesenciale”, tha Zëdhënësja për Media nga Dhoma e Tregtisë, Fjolla Smaili.

Sipas Smailit, nëse vazhdohet një rritje e tillë e çmimeve, do të krijohet një gjendje kaotike në të cilën jetesa e qytetarëve dhe bizneseve do të vihet në pikëpyetje. Sa është vendi i përgatitur për dimrin e rrezikshëm?

Paralajmërimi i krizës nga OKB-ja

Javë më parë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, paralajmëroi për një dimër të vështirë, për shkak së krizave të vazhdueshme që po prekin njerëzimin, duke nisur nga lufta në Ukrainë e deri te efektet e ndryshimeve klimatike.

“Kriza e fuqisë blerëse po shpërthen, besimi po humbet, pabarazitë janë në kulmin e tyre, planeti ynë është në zjarr”, tha Antonio Guterres në fjalimin e tij të hapjes në Asamblenë e Përgjithshme vjetore të OKB-së.

“Krizat e vazhdueshme po kërcënojnë të ardhmen e njerëzimit dhe fatin e planetit. Nuk po tallemi. Jemi në det të trazuar. Kemi para një dimër me pakënaqësi”, theksoi ai.

Pavarësisht nga rreziqet, komuniteti ndërkombëtar është “paralizuar”, vuri në dukje Guterres, duke përshkruar “një kërcënim për ndarje të rrezikshme midis Perëndimit dhe Jugut”.

“Ndarjet gjeopolitike janë duke minuar punën e Këshillit të Sigurimit, duke minuar ligjin ndërkombëtar, duke minuar besimin e njerëzve në institucionet demokratike,” shpjegoi ai.

“Nuk mund të vazhdojmë kështu”, theksoi ai.

Guterres u bëri thirrje vendeve të pasura që të tatojnë fitimet e sektorit të karburanteve fosile për të rishpërndarë të ardhurat tek vendet e prekura nga ndryshimet klimatike dhe tek popullsitë e goditura nga inflacioni.

“Sot, po u bëj thirrje të gjitha ekonomive të zhvilluara të tatojnë të ardhurat e papritura të kompanive të karburanteve” dhe t’i investojnë ato të ardhura në dy mënyra: në vendet e rrënuara nga humbjet dhe dëmet e shkaktuara nga ndryshimet klimatike dhe në segmente të popullsisë që përballen me vështirësi për shkak të rritjes së çmimit të ushqimit dhe energjisë”, tha Guterres

Por, ku është Kosova në përgatitjet për dimrin e rrezikshëm të paralajmëruar që më parë?

Zëdhënësja e Dhomës së Tregtisë, Fjolla Smaili, tha se shpresojnë që nuk do të ketë ngritje të çmimeve pasi që në të kundërtën do të krijohet një gjendje kaotike.

“Si Dhomë e Tregtisë dhe Industrisë mbesim me shpresë që nuk do të ketë ngritje të çmimeve por normalizim të këtyre të fundit, sepse në të kundërtën do të krijohet një gjendje kaotike në të cilën jetesa dhe mirëqenia e qytetarëve dhe bizneseve do të vihet në pikëpytje. Sipas trendit dhe zhvillimeve globale, shihet që do të kemi një periudhë të vështirë si rezultat i këtyre zhvillimeve, mirëpo konsiderojmë që duke qenë të unifikuar mund të ia dalim mbanë. Ne poashtu presim nga Institucionet e vendit që të analizojnë situatën dhe të marrin masa konform gjendjes së krijuar me qëllim të krijimit të lehtësirave për operimin e bizneseve dhe qytetarëve”, tha për Insajderin Zëdhënësja e Dhomës së Tregtisë, Fjolla Smaili.