RCCOLA

A është kjo një gjendje e natyrshme

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Arben Idrizi – Azem Syla, Sami Lushtaku, Xhabir Zharku, nuk janë të vetmit. Mbase fati do t’i ndihë kësaj shoqërie, jo përmes mrekullish por drejtësisë, të lirohet së shpejti edhe nga “atdhedashës” të tjerë si presidenti i vendit Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, ai i Nismës Fatmir Limaj e shumë të tjerë.

Kur e kuptojmë vetë dalëngadalë, kur na e bëjnë me dije të tjerët (duke na bindur me fakte, apo në çfarëdo mënyre), kur e vërteta del sheshit duke u shfaqur si dielli, se, ta zëmë, filan komandantët, filan heronjtë a filan personalitetet e dalluara, për të cilët kemi pasur vetëm bindje dhe mendime të mira, për të cilët janë thënë vetëm fjalë miradije e adhurimi dhe të cilët janë glorifikuar dhe hyjnizuar, në të vërtetë, ndoshta duke e shfrytëzuar atë “aurë” si mburojë, janë (edhe) të korruptuar, mashtrues, plaçkitës dhe në fund fare edhe vrasës, atëherë, oh po, atëherë njëmend mbetemi të shtangur si budallenj.

Të shtangur si budallenj, në kuptimin e atij që jo që është tamam sylesh, ama për shkak të një neglizhence apo indiference ka lejuar që të kapet për hunde, të luhet me të, pra të mashtrohet.

Që të flasim nga bindja e rëndomtë e përbashkët, kjo parimisht do të duhej t’i jepte fund njëherë e mirë iluzionit se këta persona mund t’ia duan të mirën vendit, shoqërisë, apo, që ta banalizojmë muhabetin, ta duan atdheun.

E megjithatë, si për ironi, masa hidhet nga njëri iluzion te tjetri. E braktis besimin në “patriotët” e vjetër të Tre përqindëshit dhe fondit Vendlindja thërret, për t’iu besuar “patriotëve” të rinj të ideologjive fashiste.

Askush që të merret, sado klishe të tingëllojë kjo, me problemet reale të vendit.

Mes parantezash, që të mos i mbetemi borxh as edhe një fije asnjë hipoteze, shumica nuk e përjashton mundësinë që këta tipa, në fillet e tyre, në rininë e tyre, të kenë pasur dhe të jenë nisur nga një ideal; si të rinj, ndoshta vërtet e kanë pasur përnjëmend në idealet, dëshirat dhe veprimet e tyre. Mirëpo, në kohë, me ndryshimin e rrethanave, me fitimin e një pushteti, me arritjen e një suksesi, të vërtetë a të rremë, kanë kuptuar një gjë: gjendja në të cilin kanë përfunduar mund t’i bëjë të ndryshojnë kurs, pra të përfitojnë nga të mirat e përbashkëta për të mirën vetjake.

E thjeshtë dhe e lehtë.

Uji Dea

Apo mbase nga natyra ishin të tillë, pavarësisht maskimit, rrethanave, ngjarjeve. Për nga natyra ishin, pra: mashtrues, plaçkitës, vjedhës, vrasës. Dhe kjo natyrë vetëm po priste kushtet që të manifestohej dhe realizohej. Lufta ua dha atë kusht. Fatkeqësisht, lufta për çlirim.

Azem Syla, Sami Lushtaku, Xhabir Zharku, nuk janë të vetmit. Mbase fati do t’i ndihë kësaj shoqërie, jo përmes mrekullish por drejtësisë, të lirohet së shpejti edhe nga “atdhedashës” të tjerë si presidenti i vendit Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, ai i Nismës Fatmir Limaj, e shumë të tjerë.

***

Ky është mjerimi i shoqërisë, tek i cili jam përpjekur, e bashkë me mua dhe më mirë se unë shumë të tjerë, të vë theksin prej vitesh e vitesh: mungesa e një elite politike e kulturore, të ndërgjegjshme dhe përgjegjëse, e cila do të merrej seriozisht me zhvillimin dhe përparimin e vendit; pa u kapur pas fjalësh të mëdha e premtimesh përrallore, por thjesht duke kryer punët elementare (për të cilat janë zgjedhur dhe janë zotuar), pa u korruptuar, pa vjedhur dhe ma mashtruar.

Kjo shoqëri, në këtë gjendje mjerimi në të cilën është kredhur, nuk mund ta lindë atë elitë, nuk mund ta nxjerrë nga vetja, si nga brinjët. Shpresa e vetme është që nga ajo strukturë namkeqe që zotëron me vendin, të përvidhet dalëngadalë një elitëz, e cila, me aq sa do të mundej, do të krijonte një hapësirë për atë elitë të ardhshme më ideale.

Ndoshta është gjendje e natyrshme dhe ndoshta, duke qenë si jemi, nuk meritojmë më mirë se kaq. Ndoshta po shkojmë rrjedhës së natyrshme të përmirësimit dhe zhvillimit.

Por, ndërkohë, e këtë duhet ta themi patjetër, po qeverisemi nga grupet kriminale politike, banditët, gangsterët, të korruptuarit, të papërgjegjshmit, plaçkitësit, vrasësit.

Askush dhe asnjë mrekulli nuk na shpeton nga ky mjerim.