Uji Dea

A do të shtrenjtohet rryma? ZRRE shqyrton tarifat

/ 7 minuta lexim

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar se ka vendosur të hapë procesin e shqyrtimit të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike, për të reflektuar çmimet e ngritura të importit si pasojë e krizës globale të çmimeve të energjisë.

ZRRE-ja e ka marrë këtë vendim në bazë të kërkesës së Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) dhe Furnizuesit për Shërbim Universal për Energji Elektrike (KESCO).

“Gjatë këtij procesi (ZRRE) do të shqyrtojë aplikacionet e të licencuarve, duke vlerësuar nevojën për vazhdim të furnizimit me energji elektrike, rritjen e efiçiencës së konsumit dhe përballueshmërinë e çmimeve nga ana e konsumatorëve”, thuhet në një njoftim të ZRRE-së.

Po ashtu shtohet se muajve të fundit, përveç rritjes së çmimeve në tregjet me shumicë të energjisë elektrike, vërehet edhe një rritje enorme e konsumit të energjisë elektrike në Kosovë.

Siç theksohet në njoftimin e ZRRE-së, kjo rezulton në rritjen e nevojës për blerje të energjisë me shumicë për mbulimin e konsumit dhe nevojat e rrjetit.

“Duke qenë se prodhimi vendor nuk mund të plotësojë të gjithë kërkesën për energji elektrike, paraqitet nevoja për import, që do të tejkalojë sasitë e lejuara nga ZRRE gjatë shqyrtimit të rregullt tarifor. Importi shtesë paraqet edhe kosto shtesë për operatorët, të cilat nuk janë parashikuar në të hyrat e lejuara maksimale për vitin relevant tarifor 2021”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.

ZRRE bën të ditur se në kuadër të këtij procesi do të bëjë analiza dhe kalkulime të bazuara në të dhënat e disponueshme dhe do të analizojë të gjitha rrethanat e krijuara në sektorin e energjisë në lidhje me kostot e sistemit si dhe në lidhje me menaxhimin e sigurisë së furnizimit.

Konsumatorët e Kosovës paguajnë 6.75 centë për kilovat në orë.

Javë më parë zyrtarë të KEDS-it, patën deklaruar se çmimi në Kosovë i energjisë elektrike nuk pritet të ndryshojë së paku deri më 1 prill, 2022, kur Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) të bëjë rishikimin e rregullt të tarifave.

Debat në Kuvend për situatën energjetike në Kosovë

Ndërkohë, partitë opozitare në Kosovë, në seancën e Kuvendit të mbajtur të hënën, kanë ngritur shqetësim për mungesën e energjisë elektrike, me të cilën kanë nisur të përballen qytetarët dhe ekonomia në përgjithësi.

Kosova, tha kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka hyrë në një krizë energjetike dhe për këtë ai ka kërkuar nga qeveria një strategji, si do t’i qaset këtij problemi.

“Si do ta kalojmë këtë dimër, sa i vështirë do të jetë për qytetarët për vendin për ekonominë dhe çfarë strategjie do të ndjekim në të ardhmen?”, pyeti Haradinaj.

Ndërprerjet e energjisë ditëve të fundit në Kosovë janë evidente.

Reduktimet e herëpashershme paralajmërohen edhe përmes njoftimeve zyrtare nga Distribucioni për Furnizim me Energji Elektrike (KEDS).

Pamundësia për të përmbushur kërkesat për energji elektrike i ka theksuar edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Ajo ka bërë të ditur se të hënën në mëngjes, termocentralet ‘Kosova A’ dhe ‘Kosova B’ në Obiliq kanë arritur të prodhojnë 759 megavatë, derisa kërkesa për energji ka qenë 1,113 megavatë.

“Treqindepesëdhjetekatër megavatë jemi duke i prodhuar më pak sesa që është kërkesa”, tha Rizvanolli.

KKVITI

Korporata Energjetike e Kosovës, sipas ministres Rizvanolli, është duke bërë përpjekje maksimale që të fusë në operim edhe bllokun e tretë të termocentralit ‘Kosova A’, që sipas saj, do të ndihmonte me 120 megavatë të tjera.

“Për të përmbushur kërkesat me energji elektrike në sezonin e dimrit, Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor është duke u marrë me prioritet të licencimit të kapaciteteve të impiantit të erës të ndërtuar në fshatin Selac, që do të shtojë edhe 60 megavatë”, tha Rizvanolli.

Haradinaj: Projektet e refuzuara rrezikojnë të ardhmen energjetike

Ndërkohë, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ramush Haradinaj tha se kriza energjetike në të cilën do të futet Kosova, është si pasojë edhe e refuzimit të projekteve energjetike nga Qeveria e kryeministrit, Albin Kurti, siç ishte projekti për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’ dhe projekti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit në Kosovë.

Duke iu përgjigjur Haradinajt, ministrja Rizvanolli tha se termocentrali “Kosova e Re” ishte një projekt i dështuar dhe i papërshtatshëm për sistemin energjetik të Kosovës.

Ndërkaq, sa i përket projektit për ndërtimin e infrastrukturës së gazit në Kosovë, Rizvanolli nuk e përjashtoi si mundësi.

“Kjo do të bëhet vetëm nëse shihet që është opsioni më i lirë dhe më i mirë për qytetarët e Kosovës”, tha ajo.

Ministria e Ekonomisë, ndërkohë është duke e hartuar Strategjinë e Energjisë 2022-2031.

Kjo strategji, sipas ministrisë, do të analizojë të gjithë skenarët potencialë dhe të përballueshëm financiarisht për të rritur stabilitetin e furnizimit me energji, si dhe të ofrojë mundësinë e integrimit sa më të madh të burimeve të ripërtërishme të energjisë.

Kurti: Kriza energjetike po troket në dyert tona

Evropa tash e sa javë është përfshirë nga kriza energjetike, për shkak të rritjes së çmimit të gazit dhe faktorëve të tjerë.

Kriza energjetike në Evropë ka ndikuar edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor si në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut. Të dy nga këto shtete kanë shpallur krizë energjetike.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kriza energjetike, ashtu si në shtetet tjera, po troket edhe në Kosovë. Këtë çështje, Kurti tha se e kanë adresuar edhe në mbledhjen e fundit të Qeverisë.

Ai tha se po punojnë bashkë me Korporatën Energjetike të Kosovës, KEDS-in dhe Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), që të gjejnë zgjidhjen më të mirë, në mënyrë që të ketë edhe furnizim të qëndrueshme, por edhe ta zbusin krizën energjetike.

“Konsumi është shumë më i madh edhe për shkak të stinës së dimrit edhe për shkak se mënyra jonë edhe e punës edhe e banimit edhe jetesës është e organizuar përmes ngrohjes nga termocentralet, por që edhe energjia elektrike është e lirë dhe konsumi është i kollajshëm”, tha Kurti.

Kryeminsitri Kurti tha se çmimet e energjisë në bursë janë shumëfishuar dhe as Kosova nuk mund të ngelet ne një situatë të favorshme me çmime, siç është aktualisht.

Konsumatorët e Kosovës paguajnë 6.75 centë për kilovat në orë. Krahasuar me vendet e rajonit, si Maqedonia e Veriut, Serbia e Shqipëria, rryma në Kosovë është më e lirë për 3 deri në 4 centë.

Për shkak të mungesës së energjisë elektrike, Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë (ZRRE) dhe KEDS-i kanë kërkuar nga qytetarët që ta kursejnë rrymën, në mënyrë që të mos vijë deri te mungesat./Rel