A do të ndërhyjë shteti në çmimet e naftës – flet kryeministri Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se heqjen e TVSH-së dhe akcizës nuk e konsiderojnë politikë të dobishme, sepse nuk iu ndihmon atyre që janë më së shumti në nevojë.

Ai këtu përmendi rastin e Gjermanisë, duke thënë se ky rast ka treguar që çfarëdo heqje e tatimit në derivate të naftës nuk i ndihmon më së shumti qytetarëve, por përkundrazi mund të rrisë fitimin e qytetarëve.

Kryeministri ka thënë se në këtë çështje, Qeveria e tij dëshiron t’i ndihmojë qytetarët me politika sociale dhe “jo të bëjmë hamendësime që në fund shndërrohen në super-profit për tregtarët e aspak në lehtësime për qytetarët”.

Ai paralajmëroi se janë duke e nxjerrë një udhëzim administrativ.

“Po e përcjellim me vëmendje naftën që hyn në kufi, çmimet në dogana ditë për ditë dhe jemi duke e përpiluar një udhëzim administrativ si Qeveri e Republikës së Kosovës lidhur me çmimet e naftës në Kosovë këto ditë, mund të jetë shumë shpejt, por kurrsesi s’është larg”.

Kurti tha se e kanë në synim të mbrojnë konsumatorin, por tha se këtë do ta bëjë “aq sa mundemi” meqë nafta importohet.

“Njëkohësisht duhet të kujdesemi që tregu të mos deformohet, pra të ketë konkurrencë të barabartë dhe të mos na zëvendësohet mbrojtja e konsumatorit me një betejë ndërmjet tregtarëve me shumicë dhe atyre me pakicë”.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS