A do ta takojë Haradinaj delegacionin nga Karaqeva?

Gjilan – Selver Lenjani thotë se kanë bërë kërkesë zyrtare tek zyra e kryeministrit për të zhvilluar një takim me të dhe për të folur rreth gjendjes së fundit në vijën kufitare në Karaqevë. Kryeministri mundet të mos dali në teren për shkaqe sigurie ose për shkak të angazhimeve që ka, por nuk ka asnjë arsye që mos të dëgjojë hallet e banorëve të Karaqevës thotë Lenjani.
Selver Lenjani pothuajse nuk ndalet asnjëherë për ta sensibilizuar problemin e kontestit të vijës kufitare me Serbinë, që aktualisht e ka Karaqeva.
Viti 2017 nuk ka qenë edhe aq premtues për Lenjanin, pasiqë asnjë nga zyrtarët e lartë e as parlamenti nuk e kanë parë të udhës që të debatojnë rreth kërkesës së kamotshme që të zgjidhet me rrugë institucionale kontesti me Serbinë.
Lenjani tha për rajonipress se i kanë bërë një kërkesë zyrtare kryeministrit Ramush Haradinaj, që ta pranojë një delegacion të këtij fshati. “Kryeministri mundet të mos dali në teren për shkaqe sigurie ose për shkak të angazhimeve që ka, por nuk ka asnjë arsye që mos të dëgjojë hallet e banorëve të Karaqevës” thotë Lenjani.
Lenjani është i bindur se problemi i Karaqevës herdokur do të trajtohet në nivele shtetërore. “Është e papranueshme që edhe pas 18 vitesh ne të jetojmë të izoluar dhe larg pronave tona. Është e pafalshme që ne të jemi rob të zyrtarëve të papërgjegjshëm e injorantë” shprehet Lenjani./rajonipress/