A do ta rris ZRRE-ja çmimin e energjisë elektrike?

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Vendimi për tarifat e reja të energjisë elektrike pritet të merret së shpejti. Por sipas zyrtarëve të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, ai nuk mund të merret para 1 prillit, pasi Departamenti i Tarifave dhe Çmimeve aktualisht është duke analizuar kërkesat e ndërmarrjeve të energjisë. Për qytetarët ngritja e çmimit të energjisë do të jetë i papërballueshëm.

Ende nuk dihet nëse do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike në Kosovë apo jo. Vendimi nuk do të mund të merret para 1prillit, kur përfundon afati i tarifave aktuale.

Zyrtarja për media në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, Adelina Murtezaj-Bajrami, thotë për Radio Kosovën se aktualisht Departamenti i Tarifave dhe i Çmimeve është duke analizuar kërkesat e marra nga ndërmarrjet e energjisë, respektivisht KEK-u, KEDS-i dhe KOSTT-i, lidhur me të hyrat e lejuara dhe për këtë do të publikojë një raport konsultativ.

“Vendimi merret pasi të publikohet raporti dhe iu lihet një afat edhe palëve tjera të interesuara të japin komentet e tyre, nuk mund të themi se kur saktësisht pa u publikuar raporti. Siç po duket nuk mund të ndodhë para një prillit”, thotë Murtezaj-Bajrami.

Megjithëse vendimi nuk është marrë ende, paralajmërimet për shtrenjtim të mundshëm të energjisë kanë nxitur deri tani reagime të sindikatave, përfaqësuesve të komunitetit të biznesit por edhe shoqërisë civile. Ndërkaq qytetarët ankohen për çmimin e lartë, dhe thonë se ngritja e mëtejshme e tij do të jetë e papërballueshme.

Eco Higjiena

“Do të jetë katastrofë, ne nuk jemi në gjendje me këto të ardhura me e përballuar. Boll shtrenjtë është, unë jam pensionist, kam punuar për 40 vjet, tash për tash nuk po shoh asgjë mirë”, thonë qytetarët.

Reagime ka pasur edhe për sistemin tarifor, që nga konsumatorët dhe palët tjera, sidomos nga Kuvendi i Kosovës është vlerësuar i komplikuar dhe vështirë i kuptueshëm. Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka hapur diskutim për reformimin e strukturës tarifore dhe ka publikuar një raport se si mund të thjeshtësohej kjo strukturë, ku kanë marrë edhe komente nga palët, thekson Adelina Murtezaj-Bajrami.

“Qëndrimet e përgjithshme janë që një ndryshim i strukturës tarifore do të mund të ndikonte negativisht ndoshta te konsumatorët me të hyra më të ulëta. Besoj që edhe për këtë çështje Bordi së shpejti do të marrë vendim, ndoshta njëkohësisht me përcaktimin e tarifave do të definojë edhe strukturën tarifore”, thotë ajo.

Në Kosovë zbatohen tarifat dimërore dhe verore. Nga 1 prilli deri më 30 shtator në fuqi janë tarifat verore, kurse nga 1 tetori deri me 31 mars, ato dimërore. Vitin e kaluar Bordi i ZRRE-se kishte vendosur që tarifat e energjisë elektrike të mbeteshin të njëjta me ato të vitit paraprak.(RTK)