Eko Higjiena

Luan Jaha kurrë në rolin e një shqiptari të keq

/ 11 minuta lexim
ARKATANA

Aktori i mirënjohur kosovar, Luan Jaha i cili së fundi preku kinemanë nëpërmjet Ukës në filmin “Tri dritare dhe një varje”, me regji të Isa Qosës në një intervistë për KultPlus ka treguar për përvojën e tij në këtë film, sikurse edhe për katër filmat e tjerë që janë realizuar me produksione të huaja. Ai ka thënë se kurrë nuk do të luante rolin që do ta paraqiste shqiptarin e keq, edhe pse, ai vlerëson se këto role më mirë është të luhen nga artistët shqiptarë.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Sapo prekët edhe njëherë ekranin e kinemasë. Kësaj radhe me filmin “Tri dritare dhe një varje”, me regji të Isa Qosës, ku u paraqitët në karakterin e një burri jo edhe të lehtë. Thënë më thjeshtë, publiku i gjerë nuk e njeh Luan Jahën me rolin e një burri hijerëndë, sa e pate vështirë të jesh me të vërtetë Uka?

Luan Jaha: Është e vërtetë që nuk është natyrë e imja, unë prej natyrës jam pak më energjik, më i hareshëm, më i gëzueshëm, më aktiv, përderisa ky rol, në krahasim me mua ka qenë më i përmbajtur, më pasiv, më i durueshëm. Mua rrallë më pëlqen puna ime, sepse punën time artistike vështirë e kam ta pranoj, nuk depërton lehtë deri te unë, por në këtë rast shumë mirë e kam pranuar. Më ka bërë përshtypje. Si natyrë e kam bërë një figurë krejt jashtë meje, diçka që nuk jam mësuar ta shoh vetveten në të.

KultPlus: Ajo që bie në sy në këtë rol është edhe theksi, një Luan i tjetërsuar në personazhin e Ukës, pikërisht edhe në elementin e theksit, sidomos kur e kemi parasysh se keni theksin e gjakovarit?

Luan Jaha: Është natyra e jonë, natyrë e artistëve që të bëjmë dallimin në personazhe, tonalitetin, thellësinë, gjestet, lëvizjet. Por definitivisht është punë e jona, e bukura e zanatit tonë është këtu. Më vjen keq që pak po kemi rast për ta dëshmuar vetën ku do të shiheshin personazhe të ndryshme.
KultPlus: E mendoni se ka qenë një karakter që të ka sjell shumë mund deri në perfeksionimin e tij?
Luan Jaha: Po nëse do quaje perfeksionim, mendim që po më pëlqen dhe nuk po dua të jem modest në këtë pikë, e ndaj mendimin me ty. E kam pranuar këtë rol shumë mirë si shikues, që rrallë më ndodhë të pranoj rolin tim si shikues, më ka pëlqyer. E çmoj si realizim edhe pse, prej natyrës jam shumë modest. Kam shumë kujdes çfarë them. Por ky rol është roli që më ka përmbushë dhe kisha pas dëshirë që të vijnë njerëzit e ta shohin filmin.

KultPlus: Po nuk është roli i parë që ta beson Isa Qosja, e në anën tjetër, filmat e Qosës janë filma që donë vëmendje, analizë, zbërthim… Na fol për anën tuaj, pse e pëlqeni të jeni pjesë e filmave të tij?

Luan Jaha: Nuk kisha me thënë. “Kukumi”, ndoshta është një film më i vështirë për tu kuptuar , më i thellë, më abstrakt, por filmi “Tri dritare…”, është një përrallë e rëndomtë, e ka një qasje tjetër, është e rëndomtë dhe mund të kuptohet lehtë nga publiku. Unë kam qenë në premierë me fëmijët e mi, vajza është 12 vjeçe, djali është 17 vjeç, dhe të dy shumë mirë e kanë kapur, thjeshtë e kanë pranuar si rrëfim.

KultPlus: Do ta donit edhe një rol në filmin e regjisorit Qosja?

Luan Jaha: Po pse jo, me gjithë qejf, është regjisor që e preferoj dhe e çmoj shumë, është shumë më i thellë se sa tingëllon në realizim. Por e bukura me të është se është një regjisor që nuk improvizon, nuk është regjisor që e bënë punën lehtë, ka përgjegjësi të madhe. Ai e fillon punën me aktorë të paktën një vit më herët. Ka takime, konsulta, prova, e kur vjen puna te xhirimi është shumë e lehtë, është vetëm ekzekutim.

KultPlus: Në anën tjetër, tashmë jeni i përfshirë edhe në filmin “Burrneshat”, të regjisores italiane Laura Bispuri, edhe një tjetër punë e vështirë, na flisni pak për përvojën me këtë film?

Luan Jaha: Është një trajtim shumë interesant në film, me të thënë të drejtën më ka pëlqyer më shumë se sa vetë romani në të cilin është bazuar ky film. Më interesant, ndoshta vetë imazhi i fotografisë, skenari, se si e ka parë regjisorja këtë përrallë. Në fillim kam pritë punë shumë më shumë, por ka përfunduar pa e vërejtur, për shkak se gjithçka ka shkuar për mrekulli.

KultPlus: Pos filmit “Burrnesha”, keni pasur ndonjë angazhim tjetër me filma të huaj?

Luan Jaha: Unë jam tip primitiv në këtë aspekt, nuk bëj bujë të madhe për punën time edhe pse nuk po them se është kushedi sa e madhe, por është shumë më e madhe se sa di publiku i gjerë. Përpos angazhimeve në teatër kam pas angazhime edhe në filma të tjerë, si filmin “Shqiptari”, “Falja e gjakut”, Dhoma 304”. Të gjithë këta filma janë produksione të huaja . Dhe po më vjen keq që publiku ynë nuk po ka rast me i pa, janë realizime të mira. Por megjithatë nuk është edhe ajo çfarë kam synuar, si e kam parë vetën në këtë zanat dhe sa kam unë kapacitet, kam menduar që kam me pas punë shumë më shumë, por fatkeqësisht nuk është duke u punuar shumë. Edhe po duhet që ti gëzohem edhe kësaj pune që e kam bërë deri më tashti. Kur luaj në filma me produksion të huaj mundohem që të mbroj çiltërsinë, sinqeritetin, besnikërinë, zotnillëkun tonë që e kemi, por në këta filma pak na jepen mundësi. Unë mundohem me çdo kusht që të ruaj figurën, nuk e fus në grackë personazhin, mundohem me e paraqitë një njeri me halle të tij dhe jo me e paraqitë shqiptarin e keq, kurrë. Deri tash ja kam arrite por edhe në të ardhmen ka me qenë kushti kryesor.

FIDANISHTJA

KultPlus: Me këtë çfarë po thoni, shihet se jeni kundër roleve që paraqesin popullin shqiptarë me një imazh jo të mirë?

Luan Jaha: Por prapë më mirë është që këto role të luhen nga artistët shqiptare se sa nga të huajt. Unë për vete nuk e luaj. Po nëse këto role luhen nga artistët shqiptarë mendoj se në nuanca e mbrojnë edhe një karakter të tillë. E mbron sepse është një paraqitje e jona. E unë për vete nuk i pranoj këto role, me këtë nuk po dëshiroj të tregohem si patriot, por mendoj se ne si popull kemi nevojë për një imazh më të mirë.

KultPlus: Në anën tjetër, partnere filmi në filmin “Burrneshat”, keni pasur Albën, e cila doli të jetë aktorja më e mirë e edicionit të filmit në Venedik, që nuk do të thotë pak të kesh në ekip një aktore të kalibrit të tillë, me një fjalë, prisni ndonjë sukses me këtë film që do ta befasonte Kosovën dhe Shqipërinë?

Luan Jaha: Pa dyshim, kineastët e huaj fusin shuma të mëdha të parave në një film, dhe projektet e tilla nuk i lënë në duar të aktorëve që nuk janë bindës. Edhe pse këto çmime janë temë në vete. E jona është të punojmë, të tjerët janë ata që vlerësojnë, por prapë mendoj se është edhe çështje e shijes. Ne e pamë edhe vetë në Sarajevë me filmin “Tri dritare…”, veç na uruan një natë më herët, u mbrehëm me dalë edhe në skenë që ta marrim çmimin, mirëpo doli ndryshe. Pra nuk është në duar tua. Dhe është një matematikë e pashkruar në histori të filmit, atëherë kur e meriton çmimin nuk e merr, kur nuk e meriton e merr.

KultPLus: Më këtë çfarë po thoni aludohet se vihet në mëdyshje puna e jurive?

Luan Jaha: Ka lloj lloj politika, me vetë faktin se janë shtatë vetë aty nënkuptohet se ka lloj lloj disponimi që lë gjithmonë vend për pyetje. Por edhe nëse fiton, unë mendoj se çmimi në film të sjell më shumë armiq se sa miq, sepse për të njëjtin çmim luftojnë gjithë ata artistët e gjithë ata filma, e padyshim që mund të reflektojë edhe në anën tjetër.

KultPlus: E lëmë mënjanë filmin e metrazhit të gjatë, ju jeni një ndër aktorët më të dashur të audiencës së gjerë televizive, falë rolit të dajës Skender, në serialin “Familja Moderne”, të mungon ky rol?

Luan Jaha: Unë pata kërkuar intimisht tek kolegët e serialit që ky serial të ndërpritej edhe më herët. Mendoja se edhe ndërprerja duhej të ishte e ëmbël, që njerëzit ta kërkonin po këtë serial pas ca viteve. Edhe pse, kjo fazë kur është ndërprerë nuk është e vonë por ka qenë më mirë të ndërpritej dy vite më herët.

Pamje nga filmi “Tri dritare dhe një varje”
KultPlus: Mirëpo, të jesh në një rol si ai i dajës Skender për vite të tëra, po besojmë që karakteri i tij të përcjell më shumë se sa që duhet, sa të ka penguar ky rol që të tjetërsohesh në role më të thella, sikur se roli i Ukës në filmin “Tri dritare…”,?

Luan Jaha: Si student e kam pas një mësues shumë të mirë, Enver Petrovcin, dhe gjithmonë na ka përmendur këto kurthet e zanatit, prandaj përgjatë karrierës sime të deritanishme më shumë jam frikësuar se sa jam kënaqur. Kjo ka qenë edukata e shkollës sonë që na ka dhënë Enveri. Ndoshta më shumë meritor është edukata e shkollimit të tij se sa e punës sime. Shumë lehtë hy në fah, sepse personazhi i gjatë shumë lehtë të merr me vete. Me ndonjë shprehje, me ndonjë gjest e gjen vetën pikërisht në atë rol. Kur ke personazh aq të skajshëm sikurse ai i dajës Skender e deri te Uka i “Tri dritare…”, atëherë duhet shumë kujdes, sepse janë diametralisht të kundërta . Është e rrezikshme me tu shfaqë karakteristikat e një roli në rolin tjetër, e rrënon krejt imazhin.

KultPlus: Një aktorë që tashmë në karrierën tuaj keni lënë gjurmë në të gjitha kategoritë filmike dhe skenike, duke përfshirë teatrin, filmin, serialin, nëse do të flisje nga thellësia e shpirtit, ku je më afër dhe më lirshëm?

Luan Jaha: Në punë. I dua të gjitha, edhe teatrin edhe filmin, por edhe seriali. Ka kohë që nuk kam luajtur në teatër, që tri vite. Por po kam dëshirë që të luaj diçka e cila flet më shumë. Mungon teksti, gjynah që nuk po shkruajnë përrallat tona, por po marrin përralla të huazuara. Ky milet ka nevojë që ti flasim në gjuhën e vet, në dhimbjen e vet. Pasi që, ne jo që kemi rrëfimë për vetëvetën por kemi edhe me i dhënë botës.

KultPlus: Dhe për fund, artdashësit e mirëfilltë akoma e gjejnë Luan Jahën në projekte të ndryshme por që nuk kanë shtrirje sikurse ka një serial, a pritet të ta shohin Luan Jahën edhe në një angazhim tjetër televiziv.
Luan Jaha: Jo, për momentin jo./KultPlus.com